Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), të cilat janë përfshirë në një konflikt të madh kundër qeverisë qendrore që nga viti 2023 dhe që akuzohen për masakrat ndaj civilëve në Sudan, po shfrytëzojnë rezervat e arit në vend
Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), të cilat janë përfshirë në një konflikt të madh kundër qeverisë qendrore që nga viti 2023 dhe që akuzohen për masakrat ndaj civilëve në Sudan, po shfrytëzojnë rezervat e arit në vend, raporton Anadolu.
Në Sudan, i cili është prodhuesi i tretë më i madh i arit në Afrikë, përleshjet kanë vazhduar midis ushtrisë dhe RSF-së që nga viti 2023 ndërsa pushtimi nga RSF-ja i qytetit Al-Fasher, qendra e rajonit Darfurit të Veriut, ka ringjallur rëndësinë e mineraleve nëntokësore, veçanërisht të arit.
Në Sudan, ku dhjetëra mijëra njerëz kanë humbur jetën dhe gati 15 milionë njerëz janë zhvendosur si brenda ashtu edhe jashtë vendit, një pjesë e konsiderueshme e burimeve të RSF-së financohen nga minierat e arit.
Qeveria sudaneze i kushton rëndësi të veçantë prodhimit të arit, një nga burimet kryesore të të ardhurave të vendit. Ari i nxjerrë tradicionalisht gjeneron afërsisht 1.5 miliard dollarë në vit për arkën shtetërore. Në vitin 2024 Sudani prodhoi rreth 64 tonë ar, duke gjeneruar rreth 1.5 miliard dollarë të ardhura.
Sudani, prodhuesi i tretë më i madh i arit në Afrikë, ka një pjesë të madhe të rezervave të tij të arit në rajonet perëndimore dhe veriore, siç janë Darfuri dhe Kordofani Jugor, Nili dhe rajonet Veriore.
Pasi humbi 75 për qind të të ardhurave të saj nga nafta pas pavarësisë së Sudanit të Jugut në vitin 2011, qeveria e Khartumit iu drejtua minierave të arit për të mbajtur në këmbë ekonominë e saj. Për shkak të mungesës së mbikëqyrjes së plotë shtetërore në perëndim të vendit, korrupsionit dhe konfliktit, prodhimi i arit është bërë gjithnjë e më shumë sektor i kontrolluar në mënyrë të paligjshme.
Milicitë lokale, grupet fisnore dhe RSF-ja që janë jashtë kontrollit shtetëror kanë filluar të operojnë një pjesë të konsiderueshme të minierave të arit në Sudan.
– Miniera e arit Jebel Amir
Nga këto miniera, rajoni Jebel Amir në Darfur, i cili është nën kontrollin e RSF-së, njihet si një nga depozitat më të pasura të arit në vend dhe përdoret për të financuar grupin e armatosur. E konsideruar kohë më parë si një nga minierat më të mëdha të arit në Afrikë, kjo zonë me një kapacitet prodhimi vjetor të vlerësuar prej 15 tonësh, tërheq mijëra punëtorë migrantë nga Çadi, Libia dhe Nigeri.
Presidenti i rrëzuar Omar al-Bashir ia dorëzoi kontrollin e minierës RSF-së me detyrën e mbrojtjes. Udhëheqësi i RSF-së, Mohamed Hamdan Dagalo dhe forcat e tij e morën plotësisht kontrollin e minierës në vitin 2017 dhe më pas monopolizuan të ardhurat nga minierat.
Dagalo u bë një nga individët më të pasur të Sudanit falë zotërimeve të tij të arit.
Udhëheqësi i RSF-së negocioi një marrëveshje me qeverinë për 250 milionë dollarë kompensim dhe përjashtime nga taksat për operacionet e tjera të RSF-së në këmbim të heqjes dorë nga të drejtat e tij të koncesionit ndaj Jebel Amir gjatë periudhës së tranzicionit 2019-2021.
Dagalo siguroi qindra milionë dollarë, por kur shpërthyen armiqësitë në prill 2023, RSF-ja e rimori me shpejtësi Jebel Amir-in.
Ndërsa prodhimi në Jebel Amir pushoi kryesisht, RSF-ja u zgjerua në zona të tjera prodhimi, të tilla si minierat Songo në Darfurin Jugor. Ndërsa ushtria sudaneze është përpjekur të kontrollojë operacionet e minierave në disa zona, shumica e të ardhurave nga ari në të gjithë vendin mbahen nga grupe të armatosura dhe jo nga qeveria qendrore.
RSF-ja financon furnizimin e armëve dhe rrit kapacitetin e saj luftarak duke monitoruar prodhimin e arit dhe eksportet e paligjshme. Grupi i armatosur thuhet se kontrabandon ar jashtë vendit dhe e transporton atë në tregjet ndërkombëtare përmes vendeve ndërmjetëse.
					











