Forca e Sigurisë së Kosovës pranoi 50 autoblinda nga SHBA-ja

Ambasada e SHBA-së në Kosovë njoftoi se FSK-ja këta autoblinda do t’i përdorë në kapacitet të plotë operacional.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka pranuar 50 autoblinda nga SHBA-ja, ka bërë të ditur ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë njoftoi se FSK-ja këta autoblinda do t’i përdorë në kapacitet të plotë operacional.

“Kosova duke përdorur burimet e saj mbrojtëse, do t’i fusë këto autoblinda në kapacitet të plotë operacional, duke shënuar një hap tjetër në angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e kapacitetit mbrojtës të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe forcimin e sigurisë së dy vendeve tona”, ka shkruar në njoftim ambasada.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ky furnizim i autoblindave të prokuruara në SHBA për FSK-në është dëshmi e partneritetit të Kosovës me SHBA-në dhe hap i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

“Ushtria jonë do të vazhdojë të zhvillohet krahë për krahë me partnerin tonë strategjik, si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të shkollimit dhe doktrinës e cila është e bazuar në atë të ushtrisë së SHBA-së”, tha ai.

Kurti në ceremoninë e pranim-dorëzimit të këtyre autblindave në kazermën e FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë, mori pjesë bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantin e FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe atasheun e Ushtrisë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nënkolonel Jonathan Shaw.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi