Florentino Pérez hyri në zhveshtoren e Real Madrid dhe largoi një nga yjet e “Mbretërve”: “Ti dil nga këtu, nuk ke nevojë ta dëgjosh këtë”

Pakënaqësia pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, por edhe sezoni i dobët në përgjithësi, kulmoi në zhveshtoren e Real Madridit.

Pas ndeshjes kundër Bayern Munich, presidenti i klubit Florentino Pérez vizitoi lojtarët dhe, sipas mediave spanjolle pranë klubit, nuk kurseu fjalët.

“Një vit pa trofe te Real Madridi është dështim, dy janë të papranueshme. E vlerësoj përpjekjen tuaj sonte, por sezoni është një zhgënjim i plotë. Të luash për Real Madridin është privilegj që sjell përgjegjësi të mëdha. Shumë prej jush nuk i kanë përmbushur ato. Të paktën përfundoni ligën me dinjitet”, thuhet se ka deklaruar Pérez.

Portali Goal shkoi edhe më tej, duke pretenduar se presidenti nga zhveshtorja e largoi të riun Arda Güler, dhe kjo për një arsye të pazakontë – si shenjë kënaqësie me lojën dhe angazhimin e tij.

“Arda, ti dil. Mos dëgjo çfarë do të thuhet tani”, thuhet se ishin fjalët e Pérez drejtuar futbollistit të ri. Madje është shfaqur edhe një video e supozuar e lojtarit turk në zhveshtoren e “Mbretërve”.

Kujtojmë se Bayern mposhti Realin me rezultat të përgjithshëm 6:4 dhe u kualifikua në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ku do të përballet me Paris Saint-Germain.

Kategoritë
Sport