Fletë arresti për disa zyrtarë policorë të Kosovës, Sveçla: Prej Rusisë s’pritet asgjë mirë

Sveçla e konfirmon urdhër arrestin e lëshuar nga Rusia për tre zyrtarët policorë.

Dy ditë më parë Rusia ka kërkuar që tre zyrtarë të njësive elitare të Policisë së Kosovës të futen në sistemin e kërkimit të INTERPOL-it.

Ata po kërkohen për arrestimin e një shtetasi rus në veri të Kosovës në maj të vitit 2019.

Edhe shteti i Kosovës është informuar zyrtarisht për fletë arrestin ndërkombëtar ndaj komandantit të Njësisë Speciale, Besart Ahmeti.

Këtë e ka konfirmuar ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ai tha se nga Rusia nuk pritet asgjë mirë, por kjo, siç tha Sveçla, nuk është brengë e tij e as Ahmetit.

“Prej Rusisë nuk pritet asgjë mirë, Besarti është mirë… e dimë, e kemi informatën zyrtare, por nuk është ajo brenga as imja, as e Besartit”, deklaroi Sveçla.

Me lëshimin e këtij fletë arrestimi Rusia ka kërkuar që këta zyrtarë policorë kosovarë të futen në listën e kërkimit të INTERPOL-it.

Ndryshe, më 31 maj të vitit 2019, policia e Kosovës gjatë një aksioni në veri të Mitrovicës kishte arrestuar 19 pjesëtarë të Policisë, të cilët kanë qenë të dyshimtë, 10 qytetarë që kanë qenë të dyshuar, 9 qytetarë të tjerë të cilët kanë penguar zyrtarët policorë në kryerje të detyrës, si dhe një zyrtar të UNMIK-ut, me nënshtetësi ruse.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi