Parlamenti i Finlandës e ka kaluar një ligj të premten, i cili u jep pushtet rojeve kufitare t’i kthejnë mbrapsht emigrantët e vendeve të treta në kufirin e saj me Rusinë.
Finlanda e ka akuzuar Rusinë se po i armatos emigrantët duke i nxitur shumë prej tyre nga vende si, Siria dhe Somalia, ta kalojnë kufirin. Kremlini i ka hedhur poshtë akuzat.
Helsinki beson se Moska po e bën një gjë të tillë si shenjë hakmarrjeje për anëtarësimin e Finlandës në NATO, e cila e mbështet Ukrainën kundër pushtimit rus.
Qeveria e krahut të djathtë e kryeministrit, Petteri Orpo, tha se projektligji ishte vendimtar për ta parandaluar mbërritjen e emigrantëve në të ardhmen, pavarësisht se ai është në kundërshtim me përkushtimet ndërkombëtare të Finlandës për të drejtat e njeriut.
“Ky është mesazh i fuqishëm për Rusinë, mesazh i fuqishëm për aleatët tanë, se Finlanda kujdeset për sigurinë e vet, se ne kujdesemi për sigurinë e kufirit të BE-së”, tha Orpo në një konferencë pas votimit.
Asnjë azilkërkues nuk ka mbërritur në Finlanda prej marsit.