Në mesin e 18 komunave të cilat iu nënshtruan rundit të dytë për të zgjedhur kryetarin, ishte edhe komuna e Mamushës. Në këtë komunë, balotazhin e 9 nëntorit e fitoi Abdulhadi Krasnic nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP).
Me të kuptuar për fitoren, anëtarët e kësaj partie filluan të festojnë. Por në një video të cilën e posedon KALLXO.com, shihen persona duke demoluar zyrën e KDTP-së në Mamushë. Karrige e televizorë të thyer, teksa persona godasin tavolinat, shihen në video.
Kryetari i kësaj partie, Fikrim Damka, e pranoi se veprimet ishin të tepruara. Megjithatë, për KALLXO.com, ai tha se kjo ishte një mënyrë e festimit për fitoren e arritur.
“E kanë tepruar, e kanë tepruar për fitoren. Grupi ka qenë shumë i ngarkuar dhe i nervozuar, ashtu që veç është një festë, një gëzim, nuk ka diçka. Nuk është diçka që mund të themi se është mirë, por nuk kemi çfarë bëjmë, janë anëtarë dhe prej gëzimit i kanë bërë ca dëme” – tha Damka përmes telefonit.
Kryetari i KDTP-së tha se zyra ku ka ndodhur ngjarja është pronë e partisë.
Policia e Prizrenit tha se deri më tani nuk ka pranuar ndonjë raportim në lidhje me atë se çfarë ngjau me rastin e festës së anëtarëve të Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP).
Në garën e balotazhit, ku Abdulhadi Krasnic nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP), sipas rezultateve preliminare mori 56.12%, ishte edhe kandidati nga Lëvizja Popullore Mamusha, Fikret Morina, i cili mori 43.88%.
















