FBI ngre shqetësime për sigurinë kombëtare në SHBA në lidhje me TikTok

FBI ngre shqetësime për sigurinë kombëtare në SHBA në lidhje me TikTok

“Kina mund t’i përdorë për spiunazh të dhënat që mbledh përmes TikTok-ut”, tha drejtori i FBI-së, Christopher Wray

Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI), Christopher Wray deklaroi se kontrolli i platformës së medias sociale TikTok ndodhet në duart e Qeverisë së Kinës dhe se kjo përbën shqetësim për sigurinë kombëtare në SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).

Wray mori pjesë në një panel në Universitetin e Michigan-it ku tha se qeveria kineze manipulon përmbajtjet mbi median sociale.

Ai theksoi se Kina mund t’i përdorë për spiunazh të dhënat që mbledh përmes TikTok-ut. “Të gjitha të dhënat ndodhen në dorën e një qeverie e cila nuk ndan me ne vlerat e përbashkëta. Kjo qeveri nuk u shërben interesave të SHBA-së. Kjo duhet të krijojë shqetësim”, tha Wray.

FBI-ja më parë ka potencuar shumë herë se të dhënat e mbledhura përmes TikTok-ut mund të përdoren me “qëllim të keq” nga ana e Qeverisë së Kinës.

Shefja e operacioneve të TikTok-ut, Vanessa Pappas në një seancë në Senatin Amerikan në shtator ka thënë se Qeveria e Kinës nuk ka asnjë qasje në të dhënat e aplikacionit.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova