Prokurori i Nevadës, Wolfson tha se dënimi mund të sjellë “njëfarë lehtësimi dhe paqeje” gati 30 vjet pas vrasjes së reperit.
Familjarët e Tupac Shakur-it përshkruan pasojat e thella emocionale të shkaktuara nga vrasja e tij në vitin 1996, pasi një gjykatë në Nevada dënoi Duane “Keffe D” Davis me 40 vjet deri në burgim të përjetshëm për organizimin e të shtënave me armë që i morën jetën reperit, transmeton Anadolu.
Davis, 63 vjeç, u dënua të martën me dy dënime të njëpasnjëshme, secili nga 20 vjet deri në burgim të përjetshëm: një për vrasje të shkallës së parë dhe tjetri për përdorimin e një arme vdekjeprurëse.
Motra e Tupac-ut, Sekyiwa Shakur, dhe vëllai i tij Maurice “Mopreme” Shakur dhanë deklarata mbi pasojat e vrasjes gjatë seancës gjyqësore, duke kujtuar reperin si një vëlla bujar dhe një artist të përkushtuar ndaj ndryshimeve shoqërore.
“Humbja e Tupac-ut e gjymtoi emocionalisht familjen time”, i tha Sekyiwa gjykatës.
“Ai ia kushtoi karrierën përparimit të popullit të tij, ishte jashtëzakonisht i sjellshëm me gratë dhe fëmijët, ushqente këdo që njihte dhe që nuk kishte ushqim. Ai ishte vërtet ylli im ndriçues”, shtoi ajo.
“Pac nuk pati mundësinë të kishte fëmijë, nuk pati mundësinë të shihte mbesat dhe nipërit e tij duke u rritur. Gjithçka që mori Pac ishte një dënim me vdekje”, tha ajo.
Prokurori i Qarkut Clark, Steve Wolfson tha se dënimi përfaqësonte një hap drejt përgjegjësisë ligjore që ishte vonuar për një kohë të gjatë. “Sot, drejtësia është vënë në vend për Tupac Shakur dhe të dashurit e tij”, tha Wolfson në një deklaratë.
“Edhe pse asnjë periudhë burgimi nuk mund ta kthejë Tupac-un, shpresojmë që ky dënim t’i sjellë familjes së tij njëfarë lehtësimi dhe paqeje, pas gati 30 vjetësh. Ky rast është një kujtesë se pavarësisht sa kohë kalon, përkushtimi ynë për të kërkuar drejtësi nuk lëkundet kurrë”.
Juria e shpalli Davisin fajtor më 31 gusht për vrasje të shkallës së parë me përdorimin e një arme vdekjeprurëse. Prokurorët nuk e akuzuan atë për të shtënat fatale, por argumentuan se ai kishte organizuar sulmin hakmarrës në bazë të ligjit të Nevadës për përgjegjësinë penale të bashkëpunëtorëve.
Tupac u qëllua më 7 shtator të vitit 1996 derisa udhëtonte me makinë pranë zonës së Las Vegas Strip dhe vdiq gjashtë ditë më vonë, në moshën 25-vjeçare.
Prokurorët thanë se sulmi ndodhi pas një përleshjeje në një kazino në Las Vegas, ku u përfshinë Tupac-u, anëtarë të grupit të tij dhe nipi i Davisit. Davisi ishte i vetmi person ndaj të cilit u ngrit ndonjëherë akuzë penale në këtë rast.