Erdoğan me mesazh të prerë: Nuk do t’i lëmë kurrë vetëm turqit qipriotë, po ndjekim çdo hap të atyre që përgatisin aleanca

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi se Ankaraja zyrtare nuk do t’i lërë kurrë vetëm turqit qipriotë, ndërsa paralajmëroi projekte të reja të mëdha infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e një gazsjellësi nënujor drejt Republikës Turke të Qipros Veriore (RTQV).

Pas mbledhjes së Qeverisë në Ankara, Erdoğan iu referua përvjetorit të 52-të të Operacionit Paqësor Turk në Qipro të vitit 1974, duke theksuar se 20 korriku ishte një “pikë kthese historike”, përmes së cilës u siguruan mbijetesa, liria dhe siguria e turqve qipriotë.

“Turqia, ashtu si 52 vjet më parë, as sot dhe as nesër nuk do të lejojë me asnjë çmim që të përsëriten vuajtjet e së kaluarës dhe nuk do t’i lërë kurrë vetëm vëllezërit tanë qipriotë”, tha Erdoğan.

Duke folur për zhvillimet aktuale në Mesdheun Lindor, lideri turk paralajmëroi për përpjekjet për militarizimin e ishullit.

“Asnjë nismë në Mesdheun Lindor që injoron barazinë sovrane, të drejtat dhe interesat legjitime të turqve qipriotë nuk mund të ketë sukses. Po ndjekim me kujdes çdo hap të atyre që përpiqen t’i shndërrojnë tensionet rajonale në mundësi dhe ta përfshijnë Qipron në struktura të reja ushtarake dhe përllogaritje gjeopolitike. Atyre që bëjnë llogari të gabuara ua përsëris edhe një herë këtë realitet”, theksoi ai.

Erdoğan nënvizoi se çështja e Qipros nuk është vetëm një mosmarrëveshje teknike për ndarjen e pushtetit, por se në qendër të saj qëndron njohja e barazisë sovrane dhe e statusit të barabartë ndërkombëtar të turqve qipriotë.

Sipas tij, dështimi i të gjitha propozimeve të deritanishme që synonin t’i reduktonin turqit qipriotë në statusin e një pakice dëshmon se vetëm një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme mund të hapë rrugën drejt paqes së përhershme.

Ai përshëndeti gjithashtu vizitën e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, në ishull — vizita e parë e një kreu të OKB-së pas 16 vjetësh — duke bërë të ditur se Ankaraja vazhdon konsultimet e ngushta me të.

Duke folur për mbështetjen ekonomike dhe zhvillimore, Erdoğan njoftoi vazhdimin e investimeve të mëdha me qëllim që Qiproja Veriore të bëhet lider rajonal në turizëm, arsimin e lartë, teknologji dhe transformim digjital.

“Ashtu siç e zgjidhëm më parë çështjen e furnizimit me ujë për turqit qipriotë, do të vazhdojmë realizimin e shumë projekteve. Në veçanti dua të theksoj ndërtimin e gazsjellësit nënujor”, tha presidenti turk.

Në fjalimin e tij, Erdoğan preku edhe krizën më të gjerë rajonale, duke kritikuar ashpër politikat e Izraelit. Ai tha se Izraeli “po pushton gradualisht territoret palestineze”, duke shkelur të drejtat themelore të njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare.

Erdoğan theksoi se pushtimi izraelit, vendbanimet ilegale dhe politikat e zhvendosjes, frikësimit dhe shtypjes së palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Gaza janë burimi kryesor i paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme.

“Çmimin e këtyre politikave nuk e paguajnë vetëm populli palestinez dhe ai libanez, por e gjithë rajoni dhe komunitetet e shumta fetare që jetojnë në të”, përfundoi Erdoğan.

Kategoritë
BotaLajme