Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi të martën një bisedë telefonike me princin e kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, lidhur me sulmet e Huthëve jemenas ndaj Arabisë Saudite, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Turqisë.
Sipas njoftimit të publikuar nga Drejtoria në llogarinë e saj në rrjetin X, gjatë bisedës u diskutuan zhvillimet e fundit në rajon dhe sulmet ndaj Arabisë Saudite. Erdogan deklaroi se Turqia i dënon në mënyrën më të ashpër sulmet e Huthëve ndaj territorit saudit dhe shprehu keqardhjen dhe ngushëllimet për viktimat.
Presidenti turk, sipas njoftimit, theksoi se Turqia do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme të qëndrojë pranë Arabisë Saudite dhe se beson se “kjo sprovë do të kapërcehet”. Në njoftim nuk u dhanë detaje lidhur me vendime të mundshme të reja apo hapa konkretë të përbashkët pas bisedës.
Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani janë të lidhura përmes një aleance mbrojtëse. Marrëveshja e Mekës për mbrojtjen e përbashkët, e nënshkruar më 7 gusht nga Mohammed bin Salman, Erdogan dhe kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif, parashikon që një sulm i armatosur ndaj njërës prej tri vendeve të konsiderohet sulm ndaj të trijave. Përfaqësuesit e tri shteteve u takuan në kuadër të këtij pakti në Riad më 5 tetor, shkruan Arab News.
Telefonata e Erdoganit erdhi pas një serie sulmesh ndaj aeroporteve saudite. Siç raporton Al Jazeera, duke iu referuar Autoritetit të Përgjithshëm Saudit të Aviacionit Civil (GACA), një raketë goditi të dielën terminalet 3 dhe 4 të aeroportit King Khalid në Riad, duke vrarë një person dhe plagosur 11 të tjerë. Kjo ndodhi një ditë pasi një raketë e Huthëve kishte goditur aeroportin, duke vrarë 12 persona dhe plagosur më shumë se 300.
Ambasada e Indisë në Arabinë Saudite njoftoi më pas se një shtetas i saj kishte ndërruar jetë nga plagët e marra në sulmin e së shtunës, duke e çuar numrin e viktimave në 13. Sipas CNN, bëhet fjalë për sulmin më vdekjeprurës ndaj Arabisë Saudite në më shumë se një dekadë.
Aeroporti në Riad është sulmuar katër herë brenda pesë ditësh. Më herët, në sulmet ndaj aeroporteve në Abha dhe Riad u vranë tre persona dhe u plagosën 36, ndërsa të enjten në sulmin ndaj aeroportit King Khalid u vranë të paktën tre shtetas sauditë, mes tyre edhe një pilot. Sipas të dhënave të publikuara nga CBS, në sulmet e Huthëve ndaj aeroporteve saudite gjatë javës së fundit janë vrarë të paktën 20 persona.
Autoritetet saudite njoftuan se aeroporti do të mbetet i mbyllur deri të shtunën, ndërsa kompanitë ajrore kanë anuluar fluturimet. Sipas AP, Arabia Saudite ka nisur hetime për të përcaktuar se si mbrojtja kundërajrore nuk arriti t’i kapte sulmet, ndërsa analizat e para tregojnë se Huthët fillimisht lëshuan dronë për t’i hapur rrugë raketave lundruese dhe balistike.
Sulmet kanë shkaktuar dënim të gjerë ndërkombëtar. Mbreti Abdullah II i Jordanisë, të hënën, në një bisedë me Mohammed bin Salmanin, dënoi sulmet, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se po atë ditë kishte biseduar me princin e kurorës saudit.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, deklaroi se ishte i tronditur nga sulmet e përsëritura të Huthëve ndaj aeroporteve saudite, duke theksuar se sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile janë të ndaluara sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Përshkallëzimi është pjesë e konfliktit më të gjerë në Lindjen e Mesme, i cili nisi më shumë se shtatë muaj më parë, kur SHBA-ja dhe Izraeli filluan luftën kundër Iranit.
