Profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, thotë se tri kushtet e paraqitura nga kryeministri Albin Kurti në dialog janë fiktive dhe vetëm për konsum të brendshëm politik.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Hasani, deklaron se Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit sjell detyrime të reja të pafavorshme për Kosovën, pasi krijohet autonomia për serbët në veri si dhe eksterritorialiteti për Kishën ortodokse serbe në Kosovë.
:Fiktive janë këto kërkesa për shkak se disa prej tyre janë të pamundura edhe teorikisht. Çdo shtet sovran përfshirë edhe Kosovën ekziston rregulli themelor që nuk ekstradohet shtetasi yt. Radoiçiq është shtetas serb dhe për të ndodhur një gjë e tillë duhet të ketë një marrëveshje për ekstradim… Rregulli i dytë themelor i ligjit ndërkombëtar thotë dëno, gjyko, procedo ose dorëzo. Kjo do të thotë se Serbia në këtë rast ka për detyrë të nisë procedurat. Atje ka disa procedura ligjore, të cilat sot për sot faktori ndërkombëtar nuk i ka bërë vërejte sa i përket procedurave. Këto dy janë arsye themelore që është i pamundur ekstradimi i Radoiçiq…”.
“E dyta letra e Brnabiq është tërhequr ndërkohë, por edhe sikur të tërhiqej ajo letër dhe prapë të shkruhej ato detyrime ndërkombëtare nuk varet legaliteti dhe ligjshmëria e tyre nga Brnabiq apo Vuçiq, por nga ndërmjetësuese që e ka bërë të qartë dhe ato janë hyrë në procedurën e integrimit euro-atlantik të dy vendeve… Kërkesa për nënshkrim që ka lindë ndërkohë është kërkesë që bëhet për treg të brendshëm dhe s’ka asnjë efekt në rrjedhën e dialogut. Ajo çka shohim ne është se këto janë vështirësi që lidhen me implementimin. Palët me vullnet po kërkojnë sesi të dilet nga ngecja aktuale, por dialogu si i tillë as nuk është delegjitimiuar dhe nuk është zhvlerësuar”, tha Hasani, për KosovaPress.
Hasani kritikon kryeministrin Kurti se me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit ka përjashtuar njohjen de-jure dhe de-facto të Kosovës si dhe ka pranuar të hyjë në një proces të dialogut, i cili mund të mos përfundojë kurrë.
Ai deklaron se drafti i BE-së për Asociacionin krijon autonomi për veriun, derisa shton se janë të paqëndrueshme deklaratat e qeveritarëve se asociacioni nuk mund të shkëputet nga marrëveshja bazë, pasi konsideron se kryeministri Kurti ka pranuar një nen në kuadër të aneksit të Ohrit ku thuhet se palët nuk diktojnë sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes, por atë e dikton Bashkimi Evropian.“Sa më shumë që të shtyhet formimi i Asociacionit, që në marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit është shndërruar në autonomi. Sa më shumë që të shtyhet ky proces aq më e rëndë do të jetë për Kosovën. Ne do të detyrohemi në një fazë të kryejmë atë detyrim pa marrë asnjë kundër shpërblim…(Drafti i Asociacionit) Nuk dorëzohet se ai është implementim. Dërgimi i draftit në Gjykatën Kushtetuese është faza e parë e implementimit. Shihet qartë se qeveria nuk dëshiron të implementojë detyrimet që ka marrë në mënyrë të vullnetshme dhe ligjshme. Atë dikush do ta bëjë dhe duhet të bëjë…(Drafti i Asociacionit mund të shkëputet nga marrëveshja bazë), sepse në Bruksel dhe në Ohër është dashur të thuhet dhe ky kryeministër ka pranuar një nen të aneksit ku thuhet se palët nuk diktojnë këta që po i thonë sekuencim dhe s’ka paragjykim, ndërkaq ato i dikton BE-ja. Dinamikën e sekuencimit e interpreton BE-ja. Këto që po thuhen tash është dashur të thuhen në Ohër”, tha Hasani.
Madje sipas Hasanit drafti i Asociacionit i hartuar nga Bashkimi Evropian s’ka nevojë as për nënshkrim dhe vulë dhe se nuk është as një non-paper, siç po e konsideron kryeministri Kurti.
Kërkesën e tij që ky draft të dërgohet në Komision të Venecias nga BE-ja, profesori Hasani e konsideron si të pamundshme dhe si një tallje.
“Statuti nuk ka nevojë me pas nënshkrim. Këta i kanë thënë: ‘Bëje’! Evropianët e kanë bërë. Ne na është thënë publikisht nga funksionarët e qeverisë që e kanë lavdëruar. Ndërkaq unë e saktë e kam ditë që një pjesë dërmuese jo vetëm që është kundër-kushtetues por krijon një kushtetutë paralele që ne e quajmë kushtetutë materiale. Unë e kam ditë prej fillimi dhe ti e ke pranuar tashmë. Pse duhet një akt nënligjor me nënshkruar BE-ja të një shteti sovran dhe pavarur. Kjo do të thotë se implementon një normë tjetër dhe ajo normë është marrëveshja e Ohrit…”.

