Kombëtarja e Egjiptit sonte nga ora 21:00 do të zhvillojë ndeshjen e saj të parë në Kupën e Botës kundër Belgjikës, por tifozët do të vërejnë një ndryshim të madh në fanellat e ekipit.
Edhe pse “Faraonët” njihen për ekspozimin e sukseseve të tyre, organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA, ka qenë i prerë – shtatë yjet mbi stemën kombëtare duhej të hiqeshin.
Egjipti është rekordmen dhe fitues shtatë herë i Africa Cup of Nations, ndërsa këta yje simbolizojnë titujt kontinentalë të fituar mes viteve 1957 dhe 2010.
Megjithatë, rregullat e Kupës së Botës në SHBA janë shumë më të rrepta sesa ato që aplikohen në Evropë ose Afrikë.
Ndërsa UEFA u lejon klubeve një fleksibilitet më të madh (si yjet për trofetë e Ligës së Kampionëve ose për çdo dhjetë tituj kombëtarë), FIFA zbaton vetëm një rregull: një yll në fanellën e një kombëtareje përfaqëson vetëm një titull të fituar të Kupës së Botës.
Meqenëse Egjipti nuk e ka fituar kurrë Kupën e Botës, futbollistët si Mohamed Salah, Omar Marmoush dhe bashkëlojtarët e tyre janë detyruar t’i largojnë përkohësisht simbolet e triumfeve afrikane gjatë turneut.
Uruguai përjashtimi i vetëm
E vetmja kombëtare në botë që gëzon një përjashtim zyrtar nga ky rregull është Uruguay.
Uruguai mban katër yje në fanellë, edhe pse Kupën e Botës e ka fituar vetëm dy herë, në vitet 1930 dhe 1950.
Dy yjet e tjerë i referohen medaljeve të arta olimpike të fituara në vitet 1924 dhe 1928, turne të organizuar drejtpërdrejt nga FIFA para se të ekzistonte vetë Kupa e Botës.
FIFA ndaloi edhe fontin e artë
Përveç heqjes së yjeve, Federata Egjiptiane e Futbollit është detyruar të ndryshojë edhe një detaj tjetër në fanella.
Plani fillestar ishte që emrat dhe numrat e lojtarëve të shkruheshin me font të artë, por FIFA vendosi veto edhe ndaj kësaj ideje.
Arsyeja është krejtësisht teknike: fonti i artë mbi fanellat e kuqe krijon reflektime të forta nën dritat e stadiumit dhe e vështirëson identifikimin e lojtarëve për shikuesit televizivë dhe komentatorët.
Për këtë arsye, Egjipti do të përdorë një font të bardhë me kontrast të lartë për numrat dhe mbiemrat e lojtarëve gjatë gjithë turneut.

















