Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive.
Sipas Muratit, Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje kanë vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën, duke u mbështetur në aktgjykimin KO119/2014.
Ai thotë se Kushtetuta është e njëjta si në vitin 2014 dhe nuk ka ndryshuar.
“Kryesuesi i Seancës Konstituive z. Avni Dehari, dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje që nga data 15 prill e deri me 26 korrik kanë vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën, nëse marrim për bazë Aktgjykimin KO119/2014. Kushtetuta është e njëjta si në vitin 2014. Nuk ka ndryshuar”, ka shkruar Murati.
Për Muratin ndryshimi është te interpretimi që anëtarët e Kushtetuteses po bëjnë, pasi siç thotë ai fituese tani është VV-ja.
Sipas ministrit në detyrë, aktgjykimi i publikuar dje duket sikur është shkruar në zyret e PDK-së.
“Por ajo çfarë ka ndryshuar është interpretimi që po i bëjnë Kushtetutës anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, sepse ka ndryshuar fituesi – tash është Lëvizja Vetëvendosje e nuk është PDK-ja. Në fakt, ky Aktgjykimi i publikuar dje edhe duket sikur është shkruar në zyret e PDK-së, për dallim prej atij të datës 26 qershor që megjithatë linte përshtypjen se ka pasur kontribut edhe nga vetë Gjykata”, shkruan Murati.