E zgjodhi Marine Le Pen: Kush është Jordan Bardella, lideri i ri i ekstremit të djathtë francez

Marine Le Pen, udhëheqësja shumëvjeçare e ekstremit të djathtë francez, është ndaluar nga pjesëmarrja në jetën politike për pesë vjet. Njëri nga ata që do të përfitojnë më shumë nga kjo situatë është Jordan Bardella, bashkëpunëtori i saj më i afërt.

Edhe pse publikisht ai do të vazhdojë ta mbështesë shefen e tij, është e qartë se përfitimi më i madh politik do t’i takojë atij, si lideri zyrtar i ri i të djathtës franceze.

Për hir të së vërtetës, Bardella është që nga viti 2022 president formal i Tubimit Kombëtar, partisë ekstremisht të djathtë franceze e cila lindi nga Fronti Kombëtar. Megjithatë, ishte e qartë se udhëheqësja e vërtetë vazhdonte të ishte Le Pen.

Tani që ajo është dënuar me ndalim politik për pesë vjet, pozicionin e saj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 pritet ta marrë 29-vjeçari që tashmë ka më shumë se një dekadë përvojë në politikë.

Fytyra e re e së djathtës

Bardella u bë anëtar i Frontit Kombëtar më 2012, në moshën 16-vjeçare, duke deklaruar se këtë e kishte bërë “kryesisht për shkak të Marine Le Pen”.

Për fitoren e tij të parë zgjedhore duhej të priste vitin 2019, kur u bë anëtar i Parlamentit Evropian, pasi Le Pen e vendosi në krye të listës së partisë së saj, e cila tashmë quhej Tubimi Kombëtar.

Në Parlamentin Evropian ai ndërtoi për tre vjet imazhin e tij si “mbrojtës i vlerave evropiane” përmes prizmit të ekstremit të djathtë, dhe në vitin 2022 u shpërblye me postin e kryetarit të partisë.

Le Pen dha dorëheqje atëherë për t’u përqendruar në fushatën presidenciale, në të cilën humbi ndaj Emmanuel Macronit, por partinë ia la në duart e “ushtarit të saj besnik” Bardella.

Emërimi i tij, sipas reagimeve në Francë, ishte një sukses i madh. E djathta, me një fytyrë të re – megjithëse ishte e qartë se Le Pen ende e drejtonte partinë në çdo mënyrë – u bë jashtëzakonisht popullore.

Dënimi i Le Pen ndoshta do ta bëjë Bardellën politikanin më të popullarizuar në Francë

Kur Le Pen u akuzua për shpërdorim fondesh – vepër për të cilën tani është e dënuar jo përfundimisht – Bardella filloi një fushatë më agresive në media, duke u profilizuar qartë si lideri i ardhshëm i lëvizjes ekstremisht të djathtë.

Edhe pse në çdo rast ka mbështetur “shefen e tij ideologjike”, Bardella në të njëjtën kohë ndërtoi edhe imazhin e vet.

Kur Le Pen e zgjodhi si pasardhës, qëllimi i saj ishte ta “spastronte” këtë lëvizje nga akuzat e mëparshme për ekstremizëm dhe antisemitizëm. Stili i veshjes së Bardellës, qasja e tij ndaj politikës dhe fakti që i përket gjeneratës së “milenialëve” i dhanë atij një bazë të mirë për ta marrë plotësisht drejtimin e partisë.

Duke marrë parasysh qëndrimin e qytetarëve francezë ndaj politikës – ku dënime të tilla shpesh kanë efekt të kundërt – Tubimi Kombëtar mund të dalë edhe më i fuqishëm nga kjo situatë.

Meqenëse Le Pen nuk mund ta kapitalizojë këtë moment për shkak të ndalimit, përfituesi do të jetë pikërisht Bardella. Nëse arrin ta ruajë këtë moment për dy vjet, ai mund ta kthejë atë edhe në një fitore në zgjedhjet presidenciale, ku në emër të ekstremit të djathtë duhej të kandidonte vetë Le Pen.

A mund ta çojë Bardella ekstremën e djathtë në majën e pushtetit?

Emmanuel Macron, kur fitoi zgjedhjet më 2017, u bë presidenti më i ri në historinë e Francës, në moshën 39-vjeçare. Bardella do të jetë vetëm 32 vjeç në vitin 2027 dhe mund të zëvendësojë Macronin në Pallatin Elize, por edhe në librat e historisë.

Megjithatë, Bardella ka mundësinë të bëjë diçka edhe më të madhe – të normalizojë një lëvizje që dikur, me të drejtë, ishte në margjinat e shoqërisë.

Mentorja dhe udhëheqësja e tij prej vitesh mund ta ndjekë këtë rrugë ndoshta nga prapa grilave ose të paktën nga jashtë skenës politike, por kjo do të jetë një çmim i vogël për një fitore të madhe për Bardellën.

Kategoritë
BotaLajme