Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka thënë se si parti kanë ngritur shqetësimin e tyre shumë më herët sa i përket ligjit të pagës minimale.
Ai ka deklaruar se nuk pajtohen me pagën minimale prej 264 euro.

“Ne kemi ngrit shqetësimet tona shumë më herët pasi që kjo rritje është e pamjaftueshme dhe nuk jemi pajtuar me këtë pagë që e ka propozuar Qeveria, përkundër asaj që jemi në një situatë krejt të re ekonomike, kemi një shkallë të lartë të inflacionit, ne kemi shprehur mospajtimet tona dhe nuk pajtohemi me këtë pagë minimale çfarë sot realisht e kanë qytetarët e vendit”, është shprehur deputeti Shala për Front Online.
E, në rast se Kushtetuesja merr vendim në favor të ligjit, Shala ka thënë se do të shohin nisma të tjera se si të ngritet paga minimale.
Sipas tij, institucionet e shtetit duhet të shqetësohen për këtë pagë sidomos në këtë kohë kur ka rritje të inflacionit.
“Definitivisht 264 euro janë të pamjaftueshme dhe ne po presim vendimin e Gjykatës dhe të shohim hapat tjerë apo nismat tjera ligjore apo parlamentare se si t’i përgjigjemi situatës. Por, definitivisht është një alarm që institucionet e shtetit duhet të shqetësoheshin në këtë kohë sidomos pas situatës së krijuar edhe me faturat e energjisë, paga minimale është jashtë çdo konteksti logjik dhe ekonomik”, ka thënë ai.
Por, pavarësisht kësaj ka deklaruar se janë duke e pritur vendimin e Kushtetueses.
Shala thotë se paga minimale duhet të jetë 450 euro.
“Në krahasim me rajonin dhe me gjendjen ekonomike të përgjithshme çdo pagë minimale që mbetet nën 450 euro është jashtë kritereve dhe nuk i plotëson standardet e mbulimit të shpenzimeve të ekonomisë familjare”, ka deklaruar ai.
Që ky ligj ani pse është miratuar në Kuvend dhe aktualisht është në Kushtetuese e thonë edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli thotë për Front Online se nuk kanë statistika se sa është numri i punëtorëve në Kosovë të cilët ende paguhen me pagën prej 130-170 euro.
“Ne nuk kemi statistika. BSPK i mbron anëtarët e vet të cilët janë pjesë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës”, ka thënë shkurt ai.
Hykolli ka deklaruar se paga minimale është dashtë të negocionet në fund të vitit që shkoi, por si pasojë e mosfunskionimit të Këshillit Ekonomik-Social, e njëjta ka mbetur ashtu siç është.
“Në fakt paga minimale është dashtë më u negociua ën fund të vitit që e lam pas. Këshilli Ekonomik-Social që ka funksionu deri tash, nuk funksionon më, kështu që paga minimale ka mbet shumë keq, për arsye se ajo veç është dashtë me u negociua nga partnerët social edhe ta kemi një pagë minimale tjetër në raport me këtë që është”, ka shtuar Hykolli.