Dyshohet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe

Policia e Kosovës ka njoftuar se më 1 nëntor 2025 është raportuar një rast i rrëmbimit dhe plagosjes së një personi në zonën e Leposaviqit.

Viktima, identifikuar si M. V., shtetas i Republikës së Kosovës dhe me nacionalitet serb, dyshohet të jetë sulmuar dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga një grup i xhandarmërisë serbe.

Sipas raportit zyrtar, incidenti dyshohet të ketë ndodhur në një zonë të quajtur “pika zero” – brenda hapësirës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, pranë Leposaviqit, përcjell Telegrafi.

Policia e Kosovës ka njoftuar menjëherë KFOR-in, si autoritet përgjegjës për zonën kufitare, dhe ka nisur hetimet e saj në bashkëpunim me institucionet relevante dhe organet e drejtësisë.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda ka intervistuar dëshmitarë, të cilët kanë konfirmuar se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Kosovës, e kishin plagosur dhe rrëmbyer viktimën, dhe më pas e kishin transportuar drejt Serbisë, duke e çuar me autoambulancë drejt qytetit të Nishit.

Në konsultim me prokuroren kompetente të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, është inicuar rasti dhe po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi