Dora e pajtimit apo përgjigjja ushtarake: Zbulohet përmbajtja e letrës që Trump i dërgoi Khamenei-t

Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar një letër udhëheqjes iraniane në të cilën i bën thirrje Teheranit për fillimin e negociatave të reja bërthamore, duke ofruar heqjen e sanksioneve, por njëkohësisht duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen me vendosmëri ndaj çdo kërcënimi ndaj interesave të tyre dhe aleatëve.

Përmbajtja e letrës drejtuar udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei, është publikuar nga Sky News Arabic.

“Me respekt për udhëheqjen tuaj dhe popullin iranian, po ju shkruaj këtë letër me qëllim që të hapim horizonte të reja në marrëdhëniet tona, larg viteve të konflikteve, keqkuptimeve dhe përplasjeve të panevojshme që kemi parë gjatë dekadave të fundit. Është koha ta lëmë pas armiqësinë dhe të hapim një faqe të re bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë. Para nesh qëndron një mundësi historike,” thuhet në letër.

Më tej, Trump thekson se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin hapa drejt paqes dhe uljes së tensioneve.

“SHBA, nën udhëheqjen time, janë të gatshme të ndërmarrin një hap të madh drejt paqes dhe de-përshkallëzimit. Së bashku mund t’i heqim sanksionet, të forcojmë ekonominë iraniane dhe të hapim dyert për bashkëpunim mes dy vendeve tona – jo vetëm për të mirën e popujve tanë, por edhe për stabilitetin dhe paqen në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën,” thuhet më tej në letër.

Megjithatë, letra përmbante edhe një paralajmërim të qartë.

“Por ju paralajmëroj: nëse refuzoni këtë dorë të shtrirë dhe regjimi iranian zgjedh rrugën e përshkallëzimit, mbështetjes së vazhdueshme për organizatat terroriste dhe aventurave ushtarake, përgjigjja do të jetë vendimtare dhe e shpejtë. Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë kërcënimeve të regjimit tuaj ndaj popullit tonë apo aleatëve tanë,” shkruan Trump.

Ai gjithashtu thekson se paqja nuk është shenjë dobësie, por zgjedhje e njerëzve të fortë.

“Paqja nuk është dobësi, por zgjedhje e të fortëve. Populli iranian është një popull i madh që meriton një të ardhme më të mirë, larg izolimit, varfërisë dhe vuajtjes,” shprehet Trump.

Në fund të letrës, Trump ofron mundësinë e negociatave:

“Nëse jeni të gatshëm për negociata, edhe ne jemi. Por nëse vazhdoni të injoroni kërkesat e botës, historia do të shënojë se keni humbur një mundësi të madhe.”

Pala iraniane, megjithatë, ka refuzuar çdo lloj negociate jashtë kornizës së marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, ka raportuar gazeta katariote Al Araby al-Jadeed. Kjo përfshin edhe çështjen e programit raketor iranian, të cilën Teherani nuk pranon ta vendosë në tryezën e bisedimeve.

Duke reaguar ndaj letrës, ministri i jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Teherani i përmbahet politikës së tij për të shmangur bisedimet e drejtpërdrejta me SHBA-në për shkak të “fushatës së presionit maksimal dhe kërcënimeve ushtarake”.

Ndërkohë, Irani ka paralajmëruar se do të përgjigjet ushtarakisht ndaj çdo agresioni amerikan apo izraelit. Në këtë kontekst, raportet tregojnë se Shtetet e Bashkuara e kanë shtuar ndjeshëm praninë ushtarake në bazën Diego Garcia në Oqeanin Indian, afër Iranit dhe Jemenit. Sipas informacioneve të disponueshme, të paktën pesë bombardues të padukshëm B-2 kanë mbërritur në këtë bazë të largët, dhe forca shtesë janë në rrugë e sipër.

Diego Garcia është territor britanik, por SHBA-të atje kanë instalime ushtarake që më parë janë përdorur për sulme në Afganistan dhe Irak. Këto lëvizje e rrisin më tej tensionin mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke lënë të hapur pyetjen nëse regjimi iranian do të zgjedhë dialogun apo konfrontimin.

Kategoritë
BotaLajme