Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi të enjten se do të vendosë tarifa shtesë ndaj Bashkimit Evropian dhe Kanadasë nëse bashkëpunojnë për t’i shkaktuar dëm ekonomik Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidenti i SHBA-së i paralajmëroi Brukselin dhe Ottawën që të mos bashkohen kundër Amerikës, sepse nëse e bëjnë këtë, do të përballen me pasoja të mëdha.
“Nëse Bashkimi Evropian bashkëpunon me Kanadanë për t’i shkaktuar dëm ekonomik SHBA-së, do të vendosen tarifa të gjera dhe shumë më të larta sesa ato aktualisht të planifikuara për të dyja, me qëllim mbrojtjen e ‘mikun më të mirë’ që ndonjëherë ka pasur secila prej këtyre dy vendeve!”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Ky paralajmërim erdhi pasi presidenti amerikan kishte njoftuar tashmë plane për vendosjen e tarifave shtesë prej 25 për qind ndaj qindra miliarda dollarëve në automjete dhe pjesë këmbimi të importuara. Ky veprim pritet të ndikojë në partnerët kryesorë tregtarë të SHBA-së, përfshirë Meksikën, Kanadanë, Korenë e Jugut, Japoninë dhe Gjermaninë, sipas Politico.
“Kjo është dita e fillimit të Çlirimit në Amerikë. Do të rikuperojmë të paktën një pjesë të parave që na janë marrë”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Tarifat, të cilat pritet të hyjnë në fuqi më 3 prill, përbëjnë një kërcënim serioz për industrinë evropiane të makinave dhe shënojnë përshkallëzimin më dramatik deri më tani në luftën tregtare të Trump-it. Ekspertët paralajmërojnë se këto masa mund të kenë pasoja të rënda për ekonominë globale.
Si përgjigje ndaj njoftimit fillestar të Trump-it, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu keqardhje të thellë për vendimin e SHBA-së dhe premtoi se do të mbrojë bizneset evropiane.
“BE-ja do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje përmes negociatave, duke mbrojtur njëkohësisht interesat e saj ekonomike”, tha ajo në një deklaratë.