Dogana zbulon stoli të pa deklaruara në Aeroport

Gjatë një kontrolli rutinë në pikën e arritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, oficerët doganorë identifikuan një rast të mosdeklarimit të mallrave nga një pasagjer që hyri në territorin e Kosovës.

Sipas Doganës, pasagjeri kaloi fillimisht nëpër kanalin e gjelbër, të destinuar për udhëtarët pa mallra për deklarim, por u përzgjodh për kontroll më të detajuar nga oficerët doganorë.

“Gjatë skanimit të bagazhit, u zbulua një sasi e konsiderueshme stoli argjendi, e cila, pas verifikimit, rezultoi të ishte 1.518,89 gram me një vlerë të faturuar prej 2.457,58 euro. Fatura u prezantua nga vetë pasagjeri vetëm pas zbulimit të rastit, ndërsa shmangia doganore ishte në vlerë prej 732,40 €”, u tha në njoftimin e Doganës.

Malli është ndaluar dhe i nënshtrohet procedurave të mëtejshme në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe Akcizës.

Dogana tha se kundër personit në fjalë është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, ndërsa mallrat do të mbeten nën mbikëqyrje doganore deri në përfundimin e të gjitha procedurave ligjore të parashikuara me legjislacionin në fuqi.

Kategoritë
LajmeVendi