Presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, i dënuar në shkallën e parë, po qëndron në Izrael, ku po e shfrytëzon çdo rast për të dhënë sa më shumë deklarata kontroverse për mediat izraelite, por edhe për ato nga entiteti më i vogël i Bosnjë e Hercegovinës.
Në një nga deklaratat për RTRS, Dodik u ndal edhe te situata aktuale në Rripin e Gazës, duke thënë se pajtohet me “zgjidhjen e propozuar nga Trump”.
“Duhet të synohet një zgjidhje e përhershme, ajo për të cilën foli presidenti amerikan Donald Trump, që populli nga këto territore të zhvendoset në destinacione të sigurta dhe atje të vazhdojë jetën e tij në paqe,” tha Dodik.
Kujtojmë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte folur në fund të dhjetorit për situatën në Gazë, duke thënë se Jordania dhe Egjipti duhet të pranojnë një numër më të madh refugjatësh nga kjo enklavë palestineze.
Trump kishte paralajmëruar më herët këtë zgjidhje për numrin e madh të refugjatëve nga Gaza, edhe në bisedë të drejtpërdrejtë me mbretin e Jordanisë, Abdullahin.
“I thashë se duhet të marrë më shumë njerëz, sepse atje poshtë është katastrofë. Do të doja shumë që të pranonte më shumë refugjatë,” kishte thënë atëherë Trump.
Të njëjtën gjë ai e kishte përsëritur edhe përpara gazetarëve pasi kishte zbritur nga avioni presidencial, duke shtuar se edhe Egjipti duhet të veprojë njësoj.
“Atje është gjithçka e shkatërruar dhe njerëzit po vdesin. Do të preferoja që të punonim me kombet arabe, të ndërtoheshin vendbanime dhe që ata njerëz të jetonin, për një herë, në paqe,” tha presidenti amerikan.
I pyetur nëse kjo është zgjidhje e përkohshme apo e përhershme, Trump u përgjigj: “Mund të jetë të dyja.”