Para nesh është dita e pestë e Kampionatit Botëror, në të cilën do të zhvillohen katër ndeshje.
Programi i sotëm do të nisë në orën 18:00, që është termini më i hershëm në të cilin janë zhvilluar ndeshje në këtë Botëror.
Nderi për ta hapur ditën i takon Spanjës, e cila në Atlanta do të përballet me Ishujt e Kepit të Gjelbër. Është e qartë se “Furia e Kuqe” është favoritja absolute, ndërsa tifozët spanjollë morën frymë lirisht pasi përzgjedhësi Luis de la Fuente njoftoi se Lamine Yamal është gati për lojë.
Megjithatë, Yamal ende nuk është 100 për qind i gatshëm dhe minutat e tij pritet të jenë të kufizuara në ndeshjen e sotme. Por, pavarësisht sa minuta do të luajë sulmuesi i Barcelonës, është e sigurt se tifozët do të shijojnë paraqitjen e tij.
Në orën 21:00, në Seattle, do të zhvillohet përballja mes Belgjikës dhe Egjiptit. Edhe pse mund të duket e pabesueshme, Egjipti sonte do të kërkojë fitoren e tij të parë në histori në Kampionatet Botërore. Megjithatë, përballë ka Belgjikën e fuqishme, e cila konsiderohet favorite, ndaj mbetet të shihet nëse egjiptianët do ta arrijnë këtë synim.
Saktësisht në mesnatë, në Miami, nis dueli mes Uruguait dhe Arabisë Saudite. Që nga debutimi i tyre në vitin 1994, pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sauditët nuk kanë arritur asnjëherë të kalojnë fazën e grupeve dhe shpresojnë që toka amerikane t’u sjellë fat edhe këtë herë. Favorit mbetet Uruguai, por do t’i duhet të luftojë për ta dëshmuar këtë në fushë.
Dita do të mbyllet në orën 03:00 të mëngjesit me ndeshjen mes Iranit dhe Zelandës së Re në Los Anxhelos. Ky takim ka tërhequr vëmendje të madhe, por fatkeqësisht jo për arsye futbollistike, por për shkak të tensioneve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Masat e sigurisë janë ngritur në nivel maksimal për të shmangur çdo incident të mundshëm, ndërsa lojtarët e të dy kombëtareve do të përpiqen ta përqendrojnë vëmendjen te ajo që do të ndodhë në fushën e lojës.
Ndeshjet e ditës së pestë të Botërorit:
- 15 qershor, ora 18:00: Spanja – Ishujt e Kepit të Gjelbër (Grupi H, Atlanta)
- 15 qershor, ora 21:00: Belgjika – Egjipti (Grupi G, Seattle)
- 16 qershor, ora 00:00: Arabia Saudite – Uruguai (Grupi H, Miami)
- 16 qershor, ora 03:00: Irani – Zelanda e Re (Grupi G, Los Anxhelos)

















