Kina bëri thirrje për “përpjekje diplomatike” drejt një zgjidhjeje paqësore të krizës së Ukrainës, pasi Rusia njoftoi planet për të vendosur armë taktike bërthamore në Bjellorusi
Kina bëri thirrje për “përpjekje diplomatike” drejt një zgjidhjeje paqësore të krizës në Ukrainë pasi Rusia njoftoi planet për dërgimin e armëve taktike bërthamore në Bjellorusi, transmeton Anadolu.
“Në situatën aktuale, palët përkatëse duhet të përqendrohen në përpjekjet diplomatike drejt një zgjidhjeje paqësore të krizës së Ukrainës dhe së bashku të përpiqen për t’i dhënë fund tensioneve”, tha Mao Ning, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës.
Rusia ka njoftuar se do të përfundojë ndërtimin e një magazinimi të posaçëm për armët bërthamore taktike në Bjellorusinë fqinje, duke përshkallëzuar më tej tensionet në Ukrainë.
“Rusia tashmë i ka dorëzuar Bjellorusisë sistemin Iskander, i cili mund të mbajë armë bërthamore”, deklaroi presidenti rus Vladimir Putin në një intervistë për kanalin televiziv Rossiya-24.
Megjithatë, Mao rikujtoi se pesë shtetet me armë bërthamore nënshkruan një deklaratë të përbashkët në janar 2022 për parandalimin e luftës bërthamore, raportoi gazeta kineze “Global Times”.
Sipas Putin, homologu i tij bjellorus Alexander Lukashenko ka ngritur prej kohësh çështjen e vendosjes së armëve bërthamore taktike ruse në Bjellorusi, të cilat nuk kanë qenë atje që nga fillimi i viteve 1990, pas rënies së BRSS-së.
“Ne ramë dakord me Lukashenkon se do të vendosim armë taktike bërthamore në Bjellorusi pa shkelur regjimin e mospërhapjes”, tha Putin, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.
Putin shtoi se SHBA ka instaluar prej kohësh armë të tilla në disa vende, kështu që nuk ka asgjë të pazakontë në kërkesën e Bjellorusisë.
Sipas tij, deri më 1 korrik, Rusia do të përfundojë ndërtimin e një depoje për armët taktike bërthamore në Bjellorusi dhe kontrolli i armëve nuk do të transferohet në Minsk.
Që kur Rusia nisi luftën në Ukrainën fqinje 13 muaj më parë, udhëheqësit perëndimorë kanë shprehur shqetësimin se Moska mund ta kthejë konfliktin në një konflikt bërthamor, shpesh bazuar në deklaratat e palës ruse se Perëndimi beson se të gjitha opsionet janë në tryezë.