Bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit amerikan Donald Trump shkaktuan një nga skandalet më të mëdha në historinë amerikane kur diskutuan planet për një sulm ndaj grupit Huthi në Jemen përmes aplikacionit Signal, duke përfshirë në mesazhe edhe informacione që duhej të ishin nën klasifikimin “sekret”.
Pas këtij skandali, gazetarët e të përditshmes gjermane Der Spiegel arritën të gjejnë të dhëna personale, përfshirë fjalëkalime dhe numra telefoni të shumë personave të përfshirë në këtë çështje.
Sipas gazetës gjermane, këto informacione janë zbuluar përmes disa kërkimeve në internet, përmes të cilave u identifikuan të dhëna personale të zyrtarëve të nivelit të lartë të administratës amerikane.
Ndër të tjera, Der Spiegel ka zbuluar numrat e telefonit, fjalëkalimet dhe adresat elektronike të këshilltarit për siguri kombëtare Mike Waltz, ministrit të mbrojtjes Pete Hegseth dhe drejtoreshës së inteligjencës kombëtare Tulsi Gabbard.
Pas verifikimeve të mëtejshme, u konstatua se disa prej tyre ende përdorin këto adresa elektronike, ndonëse janë komprometuar dhe mund të gjenden lehtësisht përmes një kërkimi të thjeshtë.
Der Spiegel thekson se këto të dhëna mund të përdoren për të hakuar pajisjet që përdoren nga persona me qasje në informacione jashtëzakonisht të rëndësishme dhe zakonisht sekrete – persona që janë vënë nën vëmendje të veçantë pas këtij skandali.
Për më tepër, u theksua se këta numra telefoni janë të lidhur edhe me llogaritë e tyre në Signal – aplikacioni përmes të cilit ndodhi i gjithë skandali.
Edhe pse nuk i kanë publikuar numrat apo informacionet e tjera të ndjeshme, gazetarët gjermanë kanë bërë të ditur se i kanë kontaktuar këta tre persona për t’i paralajmëruar se të dhënat e tyre private, përfshirë fjalëkalimet, janë të pranishme në internet dhe mund të gjenden lehtësisht.