Në takimin e udhëhequr nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, është arritur pajtim që takimet e tilla të jenë të rregullta me qëllim të koordinimit për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE) ka zhvilluar një takim me ambasadorët e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës të akredituar në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takimin e udhëhequr nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, është arritur pajtim që takimet e tilla të jenë të rregullta me qëllim të koordinimit për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në përgjigje të AA-së, Gashi tha se në takim është diskutuar edhe për çështjet që e presin Kosovën në rrugën drejtë anëtarësimit në KiE.
“Diskutuam për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, gjendjen ku jemi, çështjet që na presin dhe si të koordinohemi më mirë”, tha ai.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe ambasadori i Türkiyes në Kosovë, Çagri Sakar.
Kosova aplikoji zyrtarisht për t’u bërë anëtare e organizatës ndërkombëtare, Këshillit të Evropës, me seli në Strasburg të Francës më 12 maj të vitit 2022.
Mundësia e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës u hap nga 16 marsi i këtij viti kur zyrtarisht u përjashtua nga ky institucion Federata Ruse, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë. Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate të cilat e njohin pavarësinë e Kosovës, i japin shtetit të Ballkanit Perëndimor mundësi reale për anëtarësim.
Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
