Mbrojtësi spanjoll Marc Cucurella është rikthyer në qendër të vëmendjes së opinionit futbollistik pasi shkëlqeu me fanellën e Spanjës në Kampionatin Botëror.
Cucurella ishte një nga lojtarët më të mirë të Spanjës në rrugëtimin drejt titullit botëror, ndërsa pas kthimit nga Amerika, në fokus është vënë marrëdhënia e tij me djalin katërvjeçar, i cili ka autizëm.
Cucurella dhe bashkëshortja e tij kohët e fundit kanë ndarë përvojat e tyre dhe kanë folur për jetën me Mateon e vogël. Tani, mbrojtësi i ri i Real Madridit është emocionuar deri në lot gjatë një emisioni.
“Kjo është hera e parë që flas për këtë dhe është shumë e vështirë për mua. Vuaj shumë, nuk di si ta ndihmoj, sidomos kur e shoh në gjendje të keqe. Jam shumë emocional… Duhet të flas për këtë dhe për përvojën time”, tha Cucurella.
“Është një temë që, sinqerisht, më bën shumë të ndjeshëm. Por jam i lumtur që jam këtu, sepse në fund të fundit kjo është hera e parë që flas dhe ndaj përvojën time. Shikoni çfarë më bëtë… Ah, më falni…”, tha Cucurella.
Përveç Mateos, mbrojtësi i majtë dhe bashkëshortja e tij Claudia Rodriguez kanë edhe një vajzë, Bella, dhe një djalë tjetër, Rio.
Edhe bashkëshortja e tij Claudia kishte folur më herët për sfidat me të cilat përballen.
“Mateo lindi katër vjet më parë dhe vumë re disa gjëra ndryshe krahasuar me fëmijët e tjerë. Nuk morëm shumë ndihmë nga kopshti dhe ata ishin muajt më të vështirë. Sa herë që e linim atje, qanim. Megjithatë, shumë gjëra kanë ndryshuar. Nuk është e lehtë të gjesh vendin e duhur për shkollim, terapi dhe ushqim”, tha Claudia.
Cucurella këtë verë ndryshoi klub. Në vend të Londrës, ku luante për Chelsea, tani familja do të jetojë në Madrid. Një nga kushtet e tij për realizimin e transferimit ishte që Real Madridi t’i siguronte djalit të tij kushtet më të mira të mundshme.
“Ai na ka mësuar shumë. Duhet të mendojmë vazhdimisht për të. Disa gjëra që nuk janë të mira për të nuk mund t’i bëjmë. Pushimet janë gjithmonë të vështira”, tha Rodriguez.
Mbrojtësi i Real Madridit ka zbuluar gjithashtu se nuk dëshiron t’i presë flokët e tij të gjatë dhe karakteristikë, në mënyrë që djali i tij ta njohë gjithmonë kur e sheh në fushë.



















