Së fundmi në diskursin publik në Kosovë, me apo pa vetëdije, po konturohet një linjë
narrative që, në thelb, e vendos në kontrast përkushtimin ndaj shtetit dhe lidhjen e
ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo vijë diskursive, shpesh me tone populiste, përpiqet të prezantojë një dallim
artificial dhe thelbësisht të gabuar mes të qenit “pro-shtet” dhe “pro-SHBA-ve”. Në
këtë kontekst, mbështetja për vendimet e qeverisë provohet të paraqitet si një akt i
“mospërkuljes” ndaj sugjerimeve të partnerëve. Ky konstrukt po provon të nxjerr
aleancën e partneritetin strategjik si një lloj detyrimi që po e pengon pavarësinë e
prosperitetin e vërtetë të Kosovës.
Në termat e teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të shtet-ndërtimit, koncepti
i sovranitetit nuk përjashton bashkëpunimin strategjik ndërkombëtar. Në kontekstin e
shteteve të reja dhe në ndërtim, si Kosova, sovraniteti është shpesh funksional vetëm
përmes ndërlidhjes me rrjete të qëndrueshme të aleancave. SHBA, si aleati kryesor në
procesin e çlirimit, pavarësisë dhe konsolidimit institucional të Kosovës, nuk ka
vepruar kurrë në kundërshtim me interesat themelore të saj. Ndaj, ndërtimi i një
narrative që e vendos SHBA-në si pengesë për shtetndërtim është të paktën një
keqinterpretim. Forcimi i shtetit të Kosovës nuk ndodh përmes retorikës nacional-
romantike apo konfrontimit të panevojshëm, por përmes respektimit të Kushtetutës,
sundimit të ligjit, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe politikave të mençura. Republika
jonë në vend që të përballet me sfidat e bollshme të saj përmes krijimit të një
narracioni nacional-romantik po krijon një realitet alternativ ku çdo kritikë ose
mospajtim perceptohet si kërcënim.
Një tjetër tendencë shqetësuese që lidhet me këtë narrativë është personalizimi i
shtetit dhe institucionalizimi i liderit si përfaqësues i vetëm i interesit shtetëror. Kjo
qasje është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe thellësisht anti-demokratike. Historia
politike botërore e ka dëshmuar se personalizimi i pushtetit është një shenjë
paralajmëruese drejt autoritarizmit. Kur një lider politik portretizohet si mbrojtësi i
vetëm i shtetit dhe interpreti ekskluziv i të vërtetës politike, atëherë shteti fillon të
identifikohet me personin dhe jo me institucionet. Kjo logjikë çon në devalvimin e
sistemit të kontrollit dhe balancës së pushteteve, duke minuar vetë parimet themelore
mbi të cilat ndërtohet një republikë demokratike. Në këtë kontekst, të pretendosh se
“lideri është i gatshëm të flijojë gjithçka për shtetin” është më shumë një retorik
mikluese sesa një argument politik i shëndoshë. Për më tepër, është një justifikim i
rrezikshëm që i hap rrugë kultit të individit dhe jo ndërtimit të një sistemi funksional
institucional. Të argumentuarit se Kosova duhet të “mos kërkojë falje që po forcon
shtetin e saj” është një populizëm i imtë që shfrytëzon ndjenjat kombëtare për të
mbuluar sfidat reale politike e shtetërore. Askush e asnjëherë nuk i ka kërkuar
Kosovës të kërkojë falje për vendosjen e rendit dhe ligjit, për fuqizimin e shtetit e të
sistemit të vlerave demokratike.
Në një botë multipolare dhe gjithnjë e më të ndërlidhur, shtetet e vogla nuk e kanë
luksin të operojnë në mënyrë të izoluar. Sovraniteti sot kuptohet më shumë si
kapacitet për të marrë pjesë në vendimmarrje ndërkombëtare dhe për të qenë pjesë e
rrjeteve globale të sigurisë, ekonomisë dhe diplomacisë. Në rastin e Kosovës, aleancat
ndërkombëtare nuk janë vetëm një mjet për të rritur legjitimitetin ndërkombëtar, por
parakusht për zhvillim politik, ekonomik e të sigurisë. Nëse ajo angazhohet të kufizojë
ku duhet e ku nuk duhet aftësinë e bashkëpunimit me aleatët e saj, e ti jap përparësi
glorifikimit e narratives për ta nxjerr individin si garantuesin e ekzistencës së shtetit
mundësia për t’u konsideruar krijesë e dështuar është e madhe, e që kjo garanton
devalvimin e gjitha angazhimeve historike për lirinë e demokracinë e vendit.