Lidhur me buxhetin e vitit 2024, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se kjo është rritja më e vogël e buxhetit që nga çlirimi i Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, Haradinaj tha se disa kategorive po ju bëhet nënçmim nga Qeveria Kurti.
“Kjo është rritja më e vogël e një buxheti që nga çlirimi i vendit. Rritja e vlerës së koeficientit të pagave nga 105 në 110 euro, nuk është rritje e as harmonizim, por zvogëlim real i pagave. Shqetësuese në veçanti është nënçmimi që ju bëhet disa kategorive si Policia e Kosovës, Shëndetësia, Drejtësia, e të tjerë të dëmtuar nga Qeveria”, tha Haradinaj
Kryetari Haradinaj tha se gjithashtu ka ndarje të padrejtë në investimet komunale, ku siç tha ai Qeveria Kurti nuk e investon buxhetin qëllimshëm ndër vite, kështu sipas tij duke i shkaktuar dëm buxhetit të vendit.
Tutje ai tha se Qeveria duke mos investuar po i shkakton humbje Kosovës dhe se sipas tij me këtë sjellje këta njerëz nuk dihet nëse janë të këtij vendi.
Në fund ai tha se Qeveria Kurti po i bën dëm këtij vendi.
“Ndarje jo e drejtë e investimeve komunale për komunat e partisë. Qeveri e cila nuk e investon buxhetin qëllimshëm ndër vite, ekonomisë së Kosovës ia ka mohuar një miliard investime. Kjo qeveri duke mos investu buxhetin i shkakton humbje Kosovës. Me këtë sjellje të këtyre nuk e dimë a janë këta njerëz të këtij vendi. Një kryeministër normal kishte bërë kontrata 10-vjeçare. Jeni ka i bëni dëm të madh këtij vendi”, tha Haradinaj.