Parlamenti i Bullgarisë ka miratuar përdorimin e bazës ajrore Bezmer nga ushtria amerikane për mbështetjen e operacioneve të SHBA-së në Lindjen e Mesme, ndërsa një pjesë e deputetëve shprehu frikën se Bullgaria mund të tërhiqet në luftën me Iranin.
Deputetët e mbështetën propozimin e qeverisë me 136 vota pro, 13 kundër dhe dy abstenime.
Vendimi mundëson dislokimin në bazën ajrore Bezmer të deri në tetë avionëve amerikanë KC-135 për furnizim me karburant në ajër, deri në 250 pjesëtarëve të personelit dhe pajisjeve përcjellëse, nga 24 korriku deri më 1 tetor. Për këtë periudhë nuk do të nevojiten miratime shtesë.
Baza ndodhet rreth 260 kilometra nga Sofja
Baza Bezmer ndodhet rreth 260 kilometra në juglindje të Sofjes.
Sipas marrëveshjes amerikano-bullgare të mbrojtjes të vitit 2006, bëhet fjalë për një objekt që përdoret nga të dyja vendet. Sa herë që SHBA-ja dëshiron ta përdorë bazën për një qëllim të ri, nevojitet miratimi i parlamentit bullgar.
Dislokimi i ri i forcave amerikane erdhi pas një kërkese të Ambasadës së SHBA-së në Sofje. Nga pala amerikane deri tani nuk ka pasur ndonjë koment zyrtar.
Kryeministri: Nga territori bullgar nuk do të zhvillohen operacione ushtarake
Para votimit, kryeministri bullgar Rumen Radev deklaroi se është “kategorikisht e përjashtuar” mundësia që operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme të zhvillohen nga territori bullgar.
Radev tha në mbledhjen e qeverisë se dislokimi i avionëve cisternë amerikanë në Bezmer ka për qëllim vetëm misionet logjistike të furnizimit me karburant në ajër, jashtë hapësirës ajrore bullgare.
Ministri i Mbrojtjes, Dimitar Stojanov, u tha deputetëve se janë marrë të gjitha masat e nevojshme, si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel aleat, për të parandaluar përfshirjen e Bullgarisë në konflikt.
“Kemi kërkuar dhe kemi marrë garanci nga partneri ynë strategjik me qëllim të zvogëlimit të rreziqeve për sigurinë tonë kombëtare”, tha Stojanov.
Disa vende të BE-së nuk duan t’i mbështesin operacionet amerikane
Vendimi vjen në një kohë kur administrata e presidentit amerikan Donald Trump po përballet me kundërshtime nga disa aleatë evropianë lidhur me përdorimin e bazave ajrore për mbështetjen e operacioneve amerikane në luftën me Iranin.
Avionët amerikanë KC-135 përdoren për furnizimin me karburant në ajër, duke u mundësuar avionëve luftarakë dhe mjeteve të tjera ajrore ushtarake të kryejnë operacione më të gjata.
Autoritetet bullgare pretendojnë se roli i tyre do të kufizohet vetëm në mbështetje logjistike dhe se nga territori bullgar nuk do të kryhen sulme ndaj objektivave në Lindjen e Mesme.











