Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi të premten “Statistikat e Energjisë” për muajin qershor 2025 me të dhëna për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit dhe të energjisë, si dhe për importin dhe eksportin e energjisë, duke theksuar një ngritje drastike të importit të rrymësnë krahasim me vitin 2024, përcjell Gazeta Metro.
Gjatë muajit qershor 2025, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 443.2 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 297.96 GWh, ose 13,25% më i vogël krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.
Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 11,39% .
Importi i energjisë elektrike në qershor 2025 ishte 299.8 GWh kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 203.05 GWh (këtu është e përfshirë edhe sasia e transmisionit).
Ajo çka vërehet është se prodhimi i energjisë në përgjithësi ka rënë, ndërsa improti i rrymës është rritur për 105% në krahasim me vitin e kaluar.
Prodhimi i thëngjillit, fjala vjen, në muajin qershor 2025 ishte rreth 415.49 mijë ton, që paraqet një rënie prej (-33,08%) në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
ASK-ja raportoi për rënie të prodhimit të energjisë elektrike nga termocentrale, hidrocentralet si dhe nga burimet e erës dhe ato solare, duke u zëvendësuar kështu me një import drastikisht të dyfishuar nga viti i kaluar.

