Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, ka deklaruar se dëshiron të ndërtojë një vendbanim luksoz për policët izraelitë mbi rrënojat e Rripit të Gazës.
“Ne do ta përfundojmë misionin, do ta pushtojmë Gazën dhe do të inkurajojmë emigrimin vullnetar,” tha lideri i ekstremit të djathtë para të mbledhurve në një sallë të madhe në Beit Shemesh.
Kur kjo të arrihet, ai thotë se synon të ndërtojë një vendbanim për policët.
Vendbanimi i parashikuar, sipas tij, do të jetë “luksoz”, me ndërtesa të larta dhe me pamje nga Mesdheu.
“Ka ardhur koha për vendbanime, vendbanime hebraike; ka ardhur koha për të nxitur emigrimin vullnetar; ka ardhur koha për të futur dënimin me vdekje për terroristët,” shtoi ai.
Javën e kaluar, Ben Gvir kishte premtuar se do të vazhdojë me ligjin e propozuar që do të fusë dënimin me vdekje për ata që cilësohen si “terroristë palestinezë”.
Kjo çështje do të diskutohet nesër në Komitetin për Sigurinë Kombëtare të Knesetit.
Ndërkohë, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se qeveria e tij nuk synon zhvendosjen e popullsisë së Gazës, pavarësisht se disa ministra të kabinetit të tij këmbëngulin për këtë.