

Kategoritë
Sport

Bëhet fjalë për një klub nga Katalonia, rajoni spanjoll ku Messi kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij duke luajtur për Barcelonën. Kjo njëkohësisht shihet si një sinjal për një rikthim të tij në Barcelonë, pasi ai ka deklaruar disa herë se pas përfundimit të karrierës te Inter Miami CF do të kthehet në Kataloni.
Cornellà është një klub katalanas me shumë lojtarë të njohur që kanë dalë nga akademia e tij. Jordi Alba dhe Gerard Martin kanë kaluar në radhët e këtij klubi, ashtu si edhe portieri aktual i Arsenal FC, David Raya.
“UE Cornellà njofton se futbollisti argjentinas dhe fituesi i tetëfishtë i Topit të Artë, Leo Messi, ka formalizuar blerjen e klubit, duke u bërë pronari i ri. Ky hap forcon lidhjet e tij të ngushta me Barcelonën dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të sportit dhe talenteve lokale në Kataloni – një lidhje e rrënjosur në vitet e tij te Barcelona dhe që vazhdon edhe sot”, thuhet në njoftimin e klubit.
Messi është bërë pronar 100% i klubit, me synimin për ta zhvilluar më tej, për të synuar ngjitjen në një kategori më të lartë dhe për ta kthyer në një nga akademitë më të forta të futbollit në Spanjë.
“Ardhja e Leo Messit shënon fillimin e një kapitulli të ri në historinë e klubit, me synimin për të nxitur rritjen sportive dhe institucionale, për të forcuar bazat e tij dhe për të vazhduar investimin në talente. Projekti udhëhiqet nga një vizion afatgjatë dhe një plan strategjik që kombinon ambicien, qëndrueshmërinë dhe lidhjen e fortë me rrënjët lokale”, përfundon njoftimi.