BE-ja bën thirrje të ndërpritet menjëherë çdo rrënim pranë Liqenit të Ujmanit

BE-ja thekson se autoritetet shtetërore duhet të bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë zgjidhje të ligjshme.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur keqardhje për rrënimin e djeshëm të shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit, i cili ndodhi ndërkohë që banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc për lirimin dhe pastrimin e tokës.

BE-ja ka shprehur shqetësim për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti.

“BE-ja bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi, largimi të detyruar apo marrjeje në posedim të mëtejshme derisa shqetësimet lidhur me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë të duhur”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

BE-ja thekson se autoritetet shtetërore duhet të bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë zgjidhje të ligjshme.

“Roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të mbetet rreptësisht brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet në mënyrë të duhur”, thuhet në reagim.

Më tej, BE-ja konsideron se masat e pakthyeshme të zbatimit në kontekstin e procedurave në zhvillim dhe pretendimeve të kontestuara pronësore ngrisin shqetësime serioze për sundimin e ligjit. “Në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës, BE-ja pret që autoritetet t’i adresojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë dhe të sigurojnë që veprime të ngjashme të mos përsëriten”, thuhet në fund të reagimit.

Të martën, me kërkesë të ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” në zonat përreth Liqenit të Ujmanit në veri të Kosovës u zhvillua një aksion për rrënimin e 11 shtëpive të ndërtuara në pronat e ndërmarrjes së Ibër-Lepencit.

Kryeshfi ekzekutiv i “Ibër Lepencit”, Faruk Mujka bëri me dije se 11 personave që kishin ndërtuar shtëpi në pronën e “Ibër Lepencit” u ishte kërkuar qysh më 3 korrik të heqin të gjitha gjërat që kanë në këto objekte dhe t’i lirojnë ato deri më 17 korrik, por ata nuk e bënë një gjë të tillë dhe me këtë rast u lajmërua inspektorati për të kryer punën.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi