BE e konfirmon se s’ka parafinancim për Kosovën e Serbinë, Mercier: Përmbushja ose jo e kushteve sqarohet kur të merret vendimi

Bashkimi Europian ka konfirmuar se në këtë fazë nuk ka parafinancim për Kosovën e Serbinë në kuadër të Planit të Rritjes, të cilat ndryshe nga vendet tjera të Ballkanit Perëndimor kanë një kusht specifik për ta përmbushur –  të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

Zëdhënësi i Komisionit Europian, Guillaume Mercier, në konferencën e sotme për media në Bruksel tha se procesi për dy shtete fqinje po vazhdon, ndërsa paratë e para nga Plani i Rritjes janë lëshuar për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

“Mund ta konfirmojë se në këtë fazë nuk ka paranfinancim për Serbinë dhe Kosovën. Këtë javë më herët u bë parafinancimi për Maqedoninë e Veriut e Shqipërisë. Por, procesi po vazhdon për dy vendet, për Kosovën e Serbinë”. ka thënë Mercier.

Ai tha se në këtë fazë nuk mund të tregojë nëse angazhimet janë përmbushur ose jo., duke shtuar se “kjo do të sqarohet kur të merret vendimi, specifikisht për parafinancimin”.

“Në procedurat për Planin e Rritjes, ka parakusht specifik kur bëhet fjalë për Serbinë e Kosovën, e që është të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizim të marrëdhënieve. Në këtë fazë s’mund të konfirmojë nëse parakushti është plotësuar apo jo. Do të shpjegohet kur të merret një vendim sa i përket parafinancimit”.

Aktualisht, Kosova dhe Komisioni Europian janë duke finalizuar hapat proceduralë përmes të cilëve do të bëhet ekzekutimi i 7% të shumës totale të paraparë për Kosovën nga Plani i Rritjes për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas kërkesës së Kosovës.

Nëse Kosova arrin që në Kuvend ta ratifikojë këtë, pagesat e para të rregullta do të bëheshin  ndërmjet tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit 2025, pati thënë para dy ditësh një zëdhënës i Komisionit Europian për Gazetën Express.

“Kosova ka bërë kërkesën për lëshimin e parapagimit deri në 7% të shumës totale të parashikuar nën këtë aranzhman [nga shuma fillestare treguese e financimit në dispozicion për secilin përfitues]. Komisioni dhe Kosova tani po përfundojnë hapat procedurale, të cilat duhet të lejojnë që lëshimi i parapagimit të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur në vitin 2025, në pritje të procesit të ratifikimit nga Kosova. Pagesat e para të rregullta priten të realizohen ndërmjet tremujorëve të dytë dhe të tretë të vitit 2025, pas përmbushjes së kushteve të lidhura me reformat”, ka thënë Komisioni.

KE thotë se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ofron një udhërrëfyes për të sjellë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor më afër Bashkimit Europian.

Plani i Rritjes është 6 miliardë euro investime në Ballkanin Perëndimor dhe parimi është edhe investime edhe reforma.

Kategoritë
LajmeVendi