BBC ka publikuar një analizë interesante mbi takimin tetë-orësh të delegacioneve ukrainase dhe amerikane në Arabinë Saudite, i cili përfundoi me pranimin e një armëpushimi 30-ditor nga Ukraina. Siç tha kryediplomati amerikan Marco Rubio, “tani topi është në fushën e Rusisë”. Ky është një moment vendimtar për negociatat e paqes, shkruan BBC në analizën e saj.
Deklarata e përbashkët e SHBA-së dhe Ukrainës përmban disa elementë të rëndësishëm, por ndoshta asnjë nuk është më i rëndësishëm se ky: “Shtetet e Bashkuara do t’i përcjellin Rusisë se reciprociteti është çelësi për arritjen e paqes.”
Shtëpia e Bardhë do të testojë për herë të parë qëllimet e Moskës
Në javët e fundit është diskutuar shumë se çfarë pret Donald Trump nga Ukraina dhe për metodat që përdor Shtëpia e Bardhë për ta detyruar Kievin të bëjë lëshime. Por tani, siç thekson BBC, duket se për herë të parë do të testohen publikisht qëllimet e Moskës.
Marrëdhëniet e Trumpit me Vladimir Putinin deri tani kanë qenë të mbuluara me pasiguri. Nuk ka pasur shenja të qarta presioni ndaj presidentit rus, të paktën jo në të njëjtën mënyrë si ndaj Volodimir Zelenskyt, shkruan BBC.
Tani është Moska ajo që ndien presionin
Deklarata e sotme e përbashkët nuk sugjeron që Trump ka ndryshuar papritur qëndrimin ndaj Zelenskyt. Marrëdhënia e tyre ka qenë e tensionuar për një kohë të gjatë, dhe tensionet kulmuan në takimin e tyre të ashpër në Zyrën Ovale 11 ditë më parë, pas të cilit SHBA pezulloi ndihmën ushtarake dhe ndarjen e të dhënave të inteligjencës me Ukrainën.
Megjithatë, me vendimin e sotëm për të rinisur menjëherë ndihmën e sigurisë dhe ndarjen e informacionit të inteligjencës amerikane – pas vetëm disa ditësh pezullimi – tani ndoshta Moska është ajo që ndien presionin, përfundon BBC.