Bashkëshortja e ish-komandantit, Agim Ramadani: Ai ka luftuar për një Shqipëri të bashkuar, tash po shoh përçarje

Bashkëshortja e ish-komandantit, Agim Ramadani, Shukrije Ramadani, në një lidhje direkte në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se ish-komandanti i donte shumë festat e Nëntorit.

E pyetur nëse amaneti i ish-komandatit Agim Ramadani dhe të gjithë tjerëve ka shkuar në vend, Shukrije Ramadani ka thënë se tashmë po e sheh një përçarje më të madhe mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe pse siç është shprehur ajo, Agim Ramadani dhe gjithë heronjtë e kombit kanë luftuar për një Shqipëri të bashkuar.

“Agim Ramadani dhe gjithë heronjtë e kombit kanë luftuar për një Shqipëri të bashkuar, mua më dhemb se tani pas 25 viteve po e shoh një përçarje më të madhe mes neve dhe Shqipërisë, më dhemb shumë. Ngaqë ëndërra jo vetëm e kësaj gjenerate, jo vetëm e kësaj lufte ishte bashkimi me Shqipërinë, ka qenë e shumë brezave të mëhershëm. Dhe ne sot ta shkelim këtë ëndërr duke menduar se nuk na vlen, kjo është e papranueshme për mua”, ka thënë gruaja e ish-komandatit, Agim Ramadani.

Gruaja e ish-komandantit ka thënë se më 28 nëntor 1997, kur ishte dalja e parë publike e UÇK-së, ka thënë se ishin momentet më emocionuese që kishin përjetuar në atë kohë.

“Ne prisnim që do të bëhej diçka e tillë, por që të dilnin ashtu përnjëherë në skenë UÇK-ja, të fliste para një popullate aq të madhe, të na fliste edhe neve që ishim jashtë atdheut, për neve ishte kulmi i një të arriture shumë të madhe dhe një përgaditeje shumë të gjatë që kishte bërë mӕ herët. Aty e kuptuam se lufta veçse filloi dhe të gjithë duhet të jemi të gatshëm për t’iu përgjigjur asaj lufte”, ka thënë Ramadani.

Shukrije Ramadani ka rrëfyer se ish-komandanti ishte shumë motivues, jepte energji pozitive sa nuk kishte ndonjë gjasë që ai të largohej nga lufta. Ndërsa për parullën që ai kishte, “Ejani pas meje”, gruaja e ish-komandantit ka theksuar se kjo tregon se Agim Ramadani ishte i gatshëm që në çdo moment të vdiste para çdo ushtari dhe ta jipte shpirtin e tij për Kosovën.

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi