Basha: Rasti i Astrit Deharit është më keq se ajo që kanë vuajtur shqiptarët nën Millosheviqin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka tërhequr paralele të sistemit të drejtësisë në kohën e sotme dhe asaj të ish-Jugosllavisë, teksa përmend rastin e vdekjes së Astrit Deharit e ku thotë se ai u mbajt në  burg 67 ditë, pa pasë një aktakuzë e pa u marrë në pyetje, raporton Ekonomia Online.

Basha derisa bëri homazhe tek varri i të ndjerit, u shpreh se ajo që ndodhi me Astrit Deharin nëntë vite më parë në burg, ishte akti më i rëndë që përjetoi vendi që nga pas lufta.

“Jemi këtu për të kujtuar jetën dhe veprën e Astrit Deharit, një njeri shembullor dhe aktivist i pashoq, që na tregon se ne duhet të vazhdojmë rrugën e tij, të qëndrojmë kundër padrejtësive që bëhen në këtë vend, e fatkeqësisht padrejtësia më e madhe i është bërë vetë atij. Duhet ta kuptoni se edhe në kohën e Jugosllavisë, regjimi fashist ka sajuar aktakuza kur i kanë mbajtur njerëzit në burg. Astrit Deharin e kanë mbajtur në burg për 67 ditë pa aktakuzë, pa e marrë në pyetje, pa asgjë. Kjo është një prej akteve më të rënda që ka përjetuar vendi ynë pas luftës. Ju e dini që lufta, beteja më e madhe e popullit tonë është bërë për liri e drejtësi. Nuk e ka pritur askush që ne të vuajmë më keq sesa kanë vuajtur shqiptarët nën regjimin fashist të Millosheviqit dhe kjo ka ndodhur në rastin e Astrit Deharit”, deklaroi Basha.

Sikurse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, edhe Basha kanë sugjeruar që të bëhet hetime edhe ndaj hetimeve që janë bërë.

“Mendoj që bashkë me Kryeministrin, Bacën Avni, Teutën, Xhemilen, Artën dhe të gjithë, bëjmë thirrje që të ketë drejtësi, sepse njerëzit kanë rënë, kanë vdekur për me pas drejtësi në këtë Republikë. Dhe tash presim drejtësi për Astrit Deharin. Duhet të merren në pyetje, siç e tha edhe Kryeministri, edhe vetë hetimet që janë bërë. Është e padrejtë që as pas 9 vjetësh nuk e dimë ende rezultatin dhe epilogun e këtij rasti, sepse sistemi i drejtësisë nuk po merret”, theksoi Basha.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi