Basha kërkon falje për artikullin mbi UÇK-në: Kam qenë i pavëmendshëm, nuk e kam lexuar kurrë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka kërkuar falje publike lidhur me përfshirjen e emrit të tij në një artikull ku përmendet Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), duke theksuar se nuk ka qenë në dijeni për mënyrën se si ai do të publikohej, raporton Ekonomia Online.

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Basha tha se artikulli në fjalë i përket periudhës kur ai ishte student dhe se nuk kishte lexuar kurrë përmbajtjen e tij, as nuk e kishte ditur që do të publikohej si bashkautorësi me dikë tjetër.

Ai shtoi se nuk do të kishte pranuar kurrë të ishte bashkautor në një material ku flitet në mënyrë të papërshtatshme për UÇK-në, duke theksuar se “nuk ka vlerë më të çmuar” për të sesa ajo.

“Kërkoj falje për pakujdesinë time. Duhet ta pranoj që kam qenë i pakujdesshëm dhe i pavëmendshëm. Unë kam kërkuar që të tërhiqet kapitulli dhe emri im nga punimi. Unë nuk kam të bëjë asgjë me këtë. Unë kërkoj falje për pavëmendjen time, por askush nuk mund ta vë në dilemë atdhetarizmin tim”.

“Ju e dini që kam bërë deklaratë tanimë ku kam tregu që kjo ka ndodhur në vitin 2021 sa kam qenë student, autorja e ka pranu dhe ka leshu komunikatë që nuk mbaj përgjegjësi përveç kapitullin tre. Fusha ku unë kam studiuar, e mbuloj vetëm këtë fushë. Prej meje, sa për sqarim, më është kërkuar një kapitull, për fushën që ki hulumtime, dhe e kam dorëzuar, me bindjen që ka me u publiku veçantë”.

“Bindja ka qenë që ‘Globalizimi dhe Ballkani Perëndimor’, dhe kam menduar se do të dalë një kapitull i veçantë. Por jo se do të del bashkëautorësi me dikë tjetër, kurrë nuk kisha pranu me qenë bashkëautor me një punim shkencor ku flitet ashtu për UÇK-në, unë prej vitit 2008 publikoj opinione, dhe kam qenë pjesë aktive e shoqërisë. Asnjëherë në asnjë moment nuk e kam ditur që do të publikohet si bashkëautorësi. Kurrë në jetë nuk e kam lexu artikullin, hera e parë në jetë këto ditë e kam pa që del edhe emri im në të njëjtin paper. Pajtohem që është dashur me qenë më i kujdesshëm, sikur ta kisha lexu kisha reagu menjëherë. Duhet me mbajt përgjegjësi, kam qenë student”, ka thënë Basha.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi