Bajrami i reagon VV-së pasi LS s’u certifikua: Radojçiqit i keni krijuar korridor dhe ka ikur në pikë të ditës, patriotizëm i rremë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, është shprehur e ashpër me Vetëvendosjen duke i quajtur veprimet e tyre “patriotizëm të rremë”.

“Hajnitë, dështimet, tenderët njëburimorë, nepotizmi, kapja e institucioneve dhe lidhjet me mafinë energjetike, NUK mund t’i mbuloni me patriotizëm të rremë, as me Serbinë, as me urat që po i ndërtoni dhe as me Listën Serbe”, thuhet në reagimin e Bajramit.

“Ju jeni të njëjtit që Radojçiqit i keni krijuar korridor dhe ka ikur në pikë të ditës, nën vëzhgimin e kamerave, dhe nuk e keni shpallur Listën Serbe organizatë terroriste as pasi ata e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë”, është shprehur Bajrami.

“Sot po i luani patriotët – hipokrita!”, përfundon ajo.

Lista Srpska nuk është certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit sot në mbledhjen e KQZ’së.

Dy anëtarët e VV’së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër.

Kryetari i KQZ’së, Kreshnik Radoniqi, dhe përfaqësuesja e Listës Srspka Gordana Llaban Zuvic votuan pro, kurse të tjerët abstenuan.

“Dy vota për, dy kundër dhe 7 abstenime, refuzohet certifikimi i partisë politike Lista Srpska dhe listës së kandidatëve të saj”, tha Radoniqi.

Kategoritë
LajmeVendi