Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas akuzave të Vetëvendosjes se partitë opozitare po bashkëpunojnë me Listën Serbe. Ajo tha se këto deklarata janë hipokrizi, duke kujtuar rastet kur eksponentë të VV-së vetë kanë bashkëpunuar me këtë subjekt dhe me Milan Rajdojçiqin, raporton Ekonomia Online.
“Pasi përcjella deklarimet e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës Haxhiu dhe deputetit i cili në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore mban detyrën e ministrit të Financave (Hekuran Murati). Që 5 vite i kam vendosur vetes një detyrë që është e shenjtë që të punoj në demaskimin e propagandës. Është hipokrizi që me dalë para mediave dy eksponentë të VV-së dhe me apostrofuar partitë e tjera që kinse ne jemi me Listën Serbe. Ndërkohë që janë përgjimet e Mimoza Kusarit duke qenë shefe e 58 deputetëve me Listën Serbe dhe me Milan Rajdojçiqin. Ata që neve sot na quajnë bashkëpunëtorë të tyre, ju keni dëshmi që kanë bashkëpunuar për vota për të zgjedhur persona të Gjykatës Kushtetuese dhe gjithashtu edhe ligjin për pagën për veteranët e luftës me Milan Rajdojçiqin. Është hipokrizi me dalë e me tregu se si ne duhet të bëhemi bashkë që të përjashtojmë Listën Serbe nga Kuvendi”, tha Bajrami.
Ajo shtoi se përgjegjësia është tek VV, që sipas saj ka pasur të gjitha kompetencat për të shpallur Listën Serbe si organizatë terroriste, por nuk e ka bërë këtë.
“Ata janë aty, janë zgjedhur, këta kur e kanë pasur rastin me i shpall organizatë terroriste dhe i kanë pasur krejt kompetencat me bërë një gjë të tillë. Këta nuk e kanë bërë, i kanë pasur faktet, e kanë ditur që këta kanë qenë bashkëpjesëmarrës në sulmin terrorist në Banjskë dhe nuk e kanë bërë një gjë të tillë”, tha Bajrami.

















