Babai dhe djali tij nisin një turne botëror nga Australia deri në Itali me një Vespa 50-vjeçare

Mario Gabrieli dhe djali i tij 11-vjeçar Leonardo synojnë të përshkojnë gati 40 mijë kilometra nga Sidnei në Itali.

Një burrë australian me origjinë italiane po përmbush një ëndërr të kahershme për të udhëtuar nëpër botë me një vespa 50-vjeçare me djalin e tij 11-vjeçar, raporton Anadolu.

Mario Gabrieli, 54-vjeç dhe djali i tij Leonardo filluan udhëtimin e tyre nga Sidnei më 5 janar nën një projekt që ata e quajtën “I Due Caschi”, që do të thotë “Dy Helmetat”.

Gabrieli, i cili ka lindur në qytetin italian të Triestes dhe ka jetuar në Australi për më shumë se dy dekada, tha se donte që djali i tij të përjetonte vende, kultura, fe, peizazhe dhe histori të ndryshme.

Pas kalimeve detare me traget dhe anije, çifti vazhdoi në tokë nga Indonezia, duke udhëtuar nëpër disa vende në Azinë Juglindore dhe Qendrore.

Pavarësisht orëve të gjata në rrugë dhe problemeve të shumta teknike me skuterin e tyre të vjetër, babë e bir kanë vazhduar udhëtimin e tyre me ndihmën e njerëzve që takuan gjatë rrugës.

Pasi udhëtuan përmes Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë, ata hynë në Turqi dhe arritën në qytetin verior të Samsunit pas një ndalese në Trabzon.

“Samsuni është një qytet i mrekullueshëm”, u tha Gabrieli gazetarëve duke shtuar se udhëtimi i tyre pritet të zgjasë 10 muaj.

“Doja ta çoja Leonardon nga shtëpia jonë në Australi në Trieste, ku linda. Mendova se udhëtimi me Vespa do të ishte një mënyrë e mirë që ai të përjetonte botën”, tha ai.

Leonardo tha se pjesa e tij e preferuar e udhëtimit ishte udhëtimi përgjatë autostradës Pamir në Azinë Qendrore.

Dyshja u prit nga klubi sportiv i lundrimit “Atakum”, ku edhe Leonardo iu bashkua sportistëve të rinj për një udhëtim të shkurtër me vela.

Ata pritet të vazhdojnë nëpër Amasya, Kapadokia dhe Antalya përpara se të largohen nga Turqia, duke arritur përfundimisht në Trieste pasi kanë përfunduar një rrugë prej afro 40 mijë kilometrash.

Kategoritë
BotaLajme