Influencuesja e djathtë nga Shtetet e Bashkuara, Laura Loomer, pas vizitës në Ukrainë dhe intervistës me presidentin Volodymyr Zelensky, vazhdoi me mesazhe mbështetëse për këtë vend, por një prej tyre ishte hapur islamofobik.
Loomer shkroi në X se e mbështet Ukrainën edhe për faktin se gjatë vizitës së saj nuk kishte parë myslimanë.
“Më është thënë se ka myslimanë në vend, por ata nuk i pushtojnë hapësirat publike siç ndodh në disa pjesë të Evropës”, shkroi ajo.
Më pas, Loomer shkoi edhe më tej duke komentuar situatën në Rusi dhe në SHBA.
“Në Rusi nuk është kështu, as në SHBA, e cila ka lejuar myslimanë të pakontrolluar dhe të dhunshëm të depërtojnë në institucionet tona politike dhe ta ndotin vendin tonë si një sëmundje e pashërueshme”, tha Loomer, e cila e quan veten “islamofobe krenare”.
Megjithatë, shumë shpejt pasoi një përgjigje që i kujtoi asaj rolin e myslimanëve në mbrojtjen e Ukrainës.
“Ironia është se mijëra myslimanë shërbejnë në Forcat e Armatosura të Ukrainës, përfshirë edhe udhëheqës fetarë myslimanë si sheiku Said Ismagilov. Madje ekzistojnë edhe njësi me shumicë myslimane, si Batalioni Çeçen i Paqes ‘Sheikh Mansur’”, iu përgjigj Sophie Fullerton, profesoreshë dhe bashkëpunëtore e disa universiteteve në SHBA.
Ajo kujtoi gjithashtu se Zelensky ka organizuar iftare për ushtarët myslimanë në shenjë mirënjohjeje për shërbimin e tyre.
“Pikërisht njerëzit që ju i shpifni po ju mbrojnë aktualisht gjatë qëndrimit tuaj në Ukrainë. Fakti që jeni në anën e duhur të historisë sa i përket Ukrainës, nuk ju çliron nga fakti se jeni thellësisht e painformuar për vetë vendin që po lavdëroni”, shkroi Fullerton.

















