Pjesëtarët e Qendrës Rajonale të Policisë Kufitare “Qendra” në Malin e Zi kanë parandaluar kontrabandimin e një sasie të madhe marihuane në pikën e përbashkët kufitare Vraćenovići–Deleuša dhe kanë arrestuar një shtetas 31-vjeçar të Bosnjë e Hercegovinës.
Zyrtarët policorë, të mërkurën rreth orës 23:00, kontrolluan një kamion me rimorkio, të cilin e drejtonte B. G. (31).
Automjeti u veçua për një kontroll të detajuar kufitar në vijën e dytë të kontrollit.
“Me këtë rast, në bazë të urdhrit të siguruar nga gjykata, u krye bastisja e hapësirës së ngarkesës së rimorkios, ku zyrtarët policorë gjetën 62 pako marihuanë, me peshë të përgjithshme rreth 65 kilogramë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Për ngjarjen u njoftua menjëherë prokurorja kujdestare në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë.
Pas mbledhjes së provave, B. G. u arrestua me urdhër të prokurorit të shtetit, nën dyshimin se kishte kryer veprën penale “prodhim, posedim dhe vënie në qarkullim të paautorizuar të narkotikëve”. Ai do të dërgohet në prokurori, së bashku me kallëzimin penal, brenda afatit ligjor për procedim të mëtejshëm.
