Një ngjarje e pazakontë ka tronditur Izraelin: ish-këshilltarja kryesore ligjore e Ushtrisë Izraelite (IDF), gjeneral-majorja Yifat Tomer-Yerushalmi, është arrestuar pasi pranoi se ishte ajo që u kishte dërguar mediave videon e dhunës dhe dhunimit të një të burgosuri palestinez në qendrën ushtarake Sde Teiman.
Arrestimi dhe përpjekja për vetëvrasje
Sipas agjencisë Associated Press, Tomer-Yerushalmi u ndalua të dielën në mbrëmje, pak ditë pasi kishte dhënë dorëheqjen. Policia tha se ajo u gjet në një plazh të Tel Avivit, pranë makinës së saj me motorin ende ndezur, pasi familja e kishte raportuar si të zhdukur, duke u frikësuar për një tentativë vetëvrasjeje.
Në vendngjarje është gjetur një letër lamtumire, që sugjeron një krizë të thellë personale dhe profesionale. Në kërkim morën pjesë edhe njësi të IDF-së me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
Në të njëjtin hetim është arrestuar edhe ish-prokurori ushtarak Matan Solomesh, i dyshuar për bashkëpunim në rrjedhjen e materialeve konfidenciale.
Videoja që tronditi botën
Pamjet e publikuara vitin e kaluar tregojnë një grup ushtarësh izraelitë duke rrahur, elektroshokuar dhe dhunuar seksualisht një të burgosur palestinez me sy të lidhur.
Sipas raporteve forenzike, viktima kishte pësuar dëmtime të rënda të organeve të brendshme dhe fraktura të shumta.
Incidenti ndodhi në qendrën ushtarake Sde Teiman në jug të Izraelit, të cilën OKB e ka cilësuar si vend sistematik torturash ndaj të burgosurve palestinezë.
Organizatat ndërkombëtare kanë dënuar ashpër lehtësimin e akuzave ndaj ushtarëve të përfshirë, duke paralajmëruar se kjo mund të çojë në mosndëshkueshmëri të plotë.
Nga nëntë ushtarë të akuzuar, vetëm pesë presin ende gjyqin për “keqtrajtim të rëndë”, ndërsa akuza për dhunim nuk është ngritur asnjëherë.
Tronditje politike dhe linç publik
Zbulimi se rrjedhja e videos vinte nga një gjenerale e lartë ka shkaktuar shpërthim politik në Izrael.
Ministrat e ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir dhe Amichai Eliyahu kanë mbrojtur hapur ushtarët, duke i quajtur “heronj, jo kriminelë.”
Ndërkohë, ministri i financave Bezalel Smotrich e akuzoi Tomer-Yerushalmin se kishte “turpëruar nderin e ushtrisë izraelite” dhe kishte vepruar “për arsye të korruptuara dhe antisemitike.”
Politikanë dhe juristë më moderuar e cilësojnë rastin si përpjekje për të fshehur krime lufte dhe për të frikësuar ata që guxojnë të thonë të vërtetën.
Vetë kryeministri Benjamin Netanyahu pranoi se skandali i Sde Teimanit ka shkaktuar “dëm reputacional të madh” për Izraelin dhe bëri thirrje për një hetim të pavarur ndërkombëtar.
Sde Teiman – simbol i errët i luftës në Gaza
Kampi ushtarak Sde Teiman është bërë simbol i abuzimeve dhe mizorive të ushtrisë izraelite ndaj palestinezëve gjatë luftës në Gaza.
Raportet për tortura, dhunë seksuale dhe vrasje të të burgosurve kanë hapur plagë të thella në shoqërinë izraelite dhe kanë ngritur pyetje mbi moralin e forcës ushtarake dhe kufijtë e patriotizmit.
Pavarësisht fushatës së djathtë që përpiqet ta paraqesë rastin si “tradhti ndaj ushtrisë”, skandali Tomer-Yerushalmi po shihet si një pikë kthese në debatin për liritë themelore njerëzore dhe polarizimin e thellë të shoqërisë izraelite midis militarizmit dhe drejtësisë.













