Argjentinasit po përgatiten për padi, pretendojnë se u është shkaktuar dëm nga “shpifjet dhe akuzat e rreme”

Federata e Futbollit të Argjentinës (AFA) po planifikon të nisë procedura ligjore për shkak të akuzave të ndryshme dhe, siç pretendohet, dezinformatave të përhapura për lojtarët gjatë Kupës së Botës.

Argjentinasit, nga fillimi deri në fund të Botërorit, ishin në qendër të kritikave të një pjese të madhe të opinionit publik, ndërsa shumë persona i akuzuan se gëzonin favorizim nga FIFA.

Sipas Federatës argjentinase, këto pretendime ndikuan te lojtarët dhe dëmtuan reputacionin e tyre, si dhe paraqitjen e ekipit në finalen e Kupës së Botës. Për këtë arsye, AFA po shqyrton nisjen e procedurave ligjore.

“Raportet paraprake tregojnë se federata po shqyrton masa të mëdha ligjore për shkak të një fushate dezinformimi të drejtuar kundër lojtarëve argjentinas gjatë Kupës së Botës”, shkruan Albiceleste Talk, një nga faqet më të njohura pranë futbollit argjentinas.

Paditë e mundshme për shpifje thuhet se do të fokusohen te akuzat e rreme, fotografitë e manipuluara ose të paverifikuara dhe pretendimet e bëra pa prova.

Argjentinasit nuk synojnë vetëm mediat e mëdha, por edhe individë, lojtarë dhe përdorues të rrjeteve sociale që i kanë akuzuar se janë të favorizuar nga FIFA dhe se gjatë Botërorit u janë dhënë privilegje.

Ekipi ligjor i Federatës së Futbollit të Argjentinës tashmë ka nisur mbledhjen e provave, përfshirë deklarata, postime, fotografi të ekranit dhe materiale të tjera.

Priten zhvillime të mëtejshme lidhur me këtë çështje.

Kategoritë
Sport