Analistët: Mbyllja e komunave paralele do të ketë efekte negative

Po vazhdojnë reagimet e ndërkombëtarëve në lidhje me përdorimin e dinarit serb dhe mbylljen e katër komunave paralele serbe në Kosovë.

Analistë politikë thonë se reagimet e BE-së dhe të SHBA-së, veçmas në lidhje me mbylljen e komunave ilegale, janë jokorrekte.

Sipas tyre, mbyllja e strukturave ilegale parashihet edhe me marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Pas reagimeve për çështjen e dinarit serb, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kritikuan ashpër këtë fundjavë institucionet kosovare edhe për mbylljen e katër komunave ilegale serbe në Kosovë.

Në reagime, mes të tjerash, thuhet se mbyllja e këtyre institucioneve do të ketë efekte negative dhe se statusi i tyre duhet të zgjidhet përmes dialogut në kuadër të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Duke komentuar reagimet e BE-së e SHBA-së për mbylljen e komunave ilegale, analisti politik, Melazim Koci, thotë se këto janë jo të drejta.

“Për komunat paralele, ishte reagim i drejtë i Qeverisë së Kosovës. Është koha e fundit që ato të mbyllen. Nuk mund të ketë edhe Asociacion të komunave me shumicë serbe, monedhë paralele të një shteti të huaj dhe komuna paralele. Kjo është plotësisht e papranueshme, prandaj mendoj se reagimet ndërkombëtare, përveç kërkesës për shterjen e zbatimit të rregullores së BQK-së, kërkesat e tjera janë të pa pranueshme dhe jokorrekte”, tha ai për Radio Kosovën.

Ndërkohë, profesori universitar, Dritëro Arifi, thotë se institucionet ilegale komunale serbe do të duhej të ishin mbyllur rreth një dekada më parë, si rezultat i marrëveshjeve të Brukselit. E, për mbylljen e tanishme Arifi thotë se nuk do të duhej të habiteshin partnerët perëndimorë.

“Për sa i përket veprimit të organeve të Kosovës rreth mbylljes së komunave ilegale serbe është gjë që perëndimi është dashur që ta presë, në momentin që Kosova është zotuar se do ta zbatojë marrëveshjen franko-gjermane. Pra, këtë po e shoh në njëfarë mënyre në kuadër të asaj marrëveshjeje dhe se institucionet ilegale janë të panevojshme nëse ka zbatim të marrëveshjes”, tha ai.

Përveç BE-së dhe SHBA-së, për mbylljen e institucioneve ilegale të Serbisë në Kosovë, ka reaguar edhe Misioni OSBE-së, që e ka parë si problematike mbylljen e institucioneve që ky mision i cilëson si “qendra që kanë ofruar shërbime sociale për komunitetin serb”.

Kategoritë
LajmeVendi