Amerikanët mbeten pa kuponë ushqimi, Gjykata e Lartë pranon ankesën e Donald Trumpit

Gjykata e Lartë e SHBA-së pranoi të premten një ankesë urgjente nga administrata e presidentit Donald Trump, duke pezulluar përkohësisht urdhrin gjyqësor që kërkonte financimin e plotë të ndihmës ushqimore gjatë ndërprerjes së funksionimit të qeverisë. Ky vendim vjen ndërkohë që disa shtete kishin filluar tashmë pagesat për qytetarët në nevojë.

Vendimi i gjykatëses Ketanji Brown Jackson, e cila mbikëqyr çështjet urgjente nga shteti federal i Massachusetts, ndalon përkohësisht pagesat e plota të ndihmës ushqimore (SNAP) deri sa gjykata e apelit të vendosë nëse do të lejojë pezullimin e mëtejshëm të urdhrit. Pezullimi do të mbetet në fuqi 48 orë pas vendimit të gjykatës së apelit, duke i dhënë administratës kohë të kërkojë ndërhyrje të re nga Gjykata e Lartë.

Programi SNAP, që ndihmon rreth një në tetë amerikanë, ofron mbështetje ushqimore për familjet me të ardhura të ulëta. Zyrtarë nga disa shtete, përfshirë Wisconsin, Oregon dhe Havai, konfirmuan se kanë filluar tashmë pagesat për muajin nëntor, në disa raste duke vepruar brenda orësh pas urdhrit fillestar gjyqësor.

Në Wisconsin, mbi 337,000 familje morën në mesnatë rreth 104 milionë dollarë ndihmë për ushqim në kartat e tyre elektronike. Në Oregon, zyrtarët punuan gjatë natës për të siguruar që çdo familje të merrte pagesën e plotë deri të premten. Edhe Havai kishte përgatitur paraprakisht të dhënat për pagesat mujore, duke i dërguar ato menjëherë në sistem përpara se të hynte në fuqi pezullimi i mundshëm i urdhrit.

Administrata Trump argumentoi në Gjykatën e Lartë se disa shtete “u përpoqën të përvetësonin sa më shumë nga fondi i kufizuar federal përpara se ankesa të shqyrtohej,” gjë që sipas saj dëmtonte shtetet e tjera. “Kur miliarda dollarë dalin nga sistemi, qeveria nuk ka mekanizëm të thjeshtë për t’i rikthyer,” thuhet në parashtresën e prokurorit të përgjithshëm D. John Sauer.

Ndërkohë, zyrtarë nga Kalifornia, Kansas, New Jersey, Pensilvania dhe Uashingtoni konfirmuan se kanë përshpejtuar procesin për të shpërndarë ndihmat ushqimore, ndërsa disa shtete të tjera presin udhëzime shtesë federale përpara se të nisin pagesat.

Vendimi i Gjykatës së Lartë lë për momentin miliona amerikanë në pasiguri për pagesat e ndihmës ushqimore në muajt në vijim.

Kategoritë
BotaLajme