



Më herët, presidenti amerikan Donald Trump kishte shprehur mbështetje për kandidatin e pavarur Andrew Cuomo dhe u kishte bërë thirrje votuesve të mos votojnë për Mamdanin.
“Pavarësisht nëse ju pëlqen personalisht Andrew Cuomo apo jo, nuk keni zgjidhje tjetër. Duhet të votoni për të dhe të shpresoni që do të bëjë një punë fantastike. Ai është i aftë për këtë, Mamdani nuk është,” shkroi Trump në rrjetin Truth Social.
Në reagim, Andrew Cuomo tha se Trump nuk e mbështet atë personalisht, por është kundër Mamdanit. “Ai nuk më mbështet mua. Ai është kundër Mamdanit,” deklaroi Cuomo.
Më herët, Trump e kishte quajtur Mamdanin “komunist” dhe kishte paralajmëruar se nëse ai fiton, mund të rishikojë fondet federale për qytetin e New Yorkut. “Do të jetë e vështirë për mua si president t’i jap shumë para New Yorkut. Sepse nëse një komunist udhëheq qytetin, çdo qindarkë që dërgon atje është e kotë,” kishte thënë Trump.
Administrata e tij disa herë kishte tentuar të shkurtonte grantet federale dhe financimet për projektet në zonat që drejtohen nga demokratët.
Zohran Mamdani, një emigrant mysliman me origjinë nga Uganda, u bë në vitin 2021 deputet në Asamblenë e Shtetit të New Yorkut. Nëse fiton, ai do të bëhet kryebashkiaku më i ri në historinë e qytetit në 100 vitet e fundit.