Amerika përgatit një ekzekutim publik pas gati 100 vjetësh: Ekzekutimi i Nidal Hasanit do të transmetohet drejtpërdrejt

Amerika përgatit një ekzekutim publik pas gati 100 vjetësh: Ekzekutimi i Nidal Hasanit do të transmetohet drejtpërdrejt

Publiku do të mund ta ndjekë drejtpërdrejt ekzekutimin me pushkatim të ish-majorit të ushtrisë amerikane, Nidal Hasan, ka konfirmuar sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Ky mund të jetë ekzekutimi i parë publik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas gati 100 vjetësh.

Hasan, ish-psikiatër ushtarak, u dënua me vdekje pasi në vitin 2009 vrau 13 ushtarë amerikanë të paarmatosur në bazën ushtarake Fort Hood në Teksas. Ky cilësohet si sulmi më vdekjeprurës jashtë luftimeve i kryer ndonjëherë në një bazë ushtarake amerikane.

“Do të sigurohemi që njerëzit të mund ta shohin, që të jetë publik. Njerëzit duhet ta kuptojnë se gjëra të tilla kanë pasoja të rënda”, deklaroi Hegseth në një intervistë për televizionin Real America’s Voice. Ai shtoi se ekzekutimi është caktuar për më 3 dhjetor dhe se Hasan do të përballet me “një togë pushkatimi të përbërë nga ushtarë, siç edhe duhet të jetë”.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, konfirmoi se rekomandimin për ekzekutimin e kishte dhënë sekretari i Mbrojtjes, ndërsa miratimin zyrtar e kishte dhënë presidenti Donald Trump.

Nëse vendimi zbatohet, ky do të jetë ekzekutimi i parë ushtarak në SHBA pas më shumë se 60 vjetësh dhe zbatimi i parë i dënimit me vdekje përmes pushkatimit në ushtrinë amerikane që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Sipas të dhënave të organizatës Amnesty International, ekzekutimet publike janë jashtëzakonisht të rralla në botë. Ndonëse vitin e kaluar në 17 shtete u kryen më shumë se 2.700 ekzekutime, ato u zhvilluan publikisht vetëm në dy vende: gjatë vitit 2025 u regjistruan 11 ekzekutime publike në Iran dhe gjashtë në Afganistan.

Vendimi për transmetimin drejtpërdrejt ka shkaktuar reagime të forta nga juristët në SHBA, të cilët paralajmërojnë se administrata ka hyrë në një terren juridik të pasigurt dhe se gjasat për shtyrjen e ekzekutimit janë të mëdha.

Kategoritë
BotaLajme