“Zhvillimet e fundit janë një kujtesë e ashpër dhe tragjike e asaj që është në rrezik për njerëzit që jetojnë në veri të Kosovës, për sigurinë e të gjitha komuniteteve dhe për rajonin më të gjerë”, ka shkruar Szunyog
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ka njoftuar se ka vizituar pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, për të dëgjuar perspektiva dhe zëra të ndryshëm për situatën aktuale, transmeton Anadolu.
Szunyog në rrjetet sociale tha se zhvillimet e ditëve të fundit janë kujtesë e ashpër dhe tragjike e “asaj që është në rrezik për njerëzit që jetojnë në veri të Kosovës”, derisa ka shtuar se në rrezik është edhe siguria e të gjitha komuniteteve.
“Zhvillimet e fundit janë një kujtesë e ashpër dhe tragjike e asaj që është në rrezik për njerëzit që jetojnë në veri të Kosovës, për sigurinë e të gjitha komuniteteve dhe për rajonin më të gjerë”, ka shkruar Szunyog.
Sipas Szunyogut, akterët vendorë duhet të kontribuojnë në uljen e tensioneve në këto momente kritike.
Sulmin në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një polic më 24 shtator, ambasadori evropian e quajti të tmerrshëm dhe gjithashtu shtoi se sulmi është organizuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës.
Zyrtarë të lartë të BE-së, por edhe të SHBA-së e kanë dënuar sulmin e grupit të armatosur rëndë ndaj njësiteve policore që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Komunës së Zveçanit.
Krerë të institucioneve të larta në Kosovë e kanë bërë fajtor presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe autoritetet serbe për mbështetjen financiare dhe logjistike të këtij grupi.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar muajt e fundit, sidomos nga muaji maj i vitit 2023, kur në komunat veriore me shumcië serbe u zhvilluan protesta për të kundërshtuar kryetarët e ri shqiptarë të këtyre komunave, të zgjedhur nga zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale atje, pa pjesëmarrjen e serbëve.