“Kemi nevojë si për paqe ashtu edhe për drejtësi për Palestinën. Unë them paqe dhe drejtësi. Ne me të vërtetë kemi nevojë për këtë”, tha Ruth Herbert
Aktivistja britanike Ruth Herbert po ece nga Mbretëria e Bashkuar në Stamboll për të mbledhur fonde për ndihmë mjekësore për palestinezët.
Duke u nisur nga shtëpia e saj në Arnside më 2 maj 2025, 52-vjeçarja Herbert kaloi Britaninë, Francën, Zvicrën, Italinë, Slloveninë, Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë përpara se të arrinte në Turqi.
Ajo do ta përfundojë ecjen e saj 6.5-mujore, të cilën e quan “Marshimi i madh për Palestinën”, në Stamboll të shtunën më 15 nëntor. Herbert, e cila ka mbledhur rreth 50 mijë paund britanikë deri më sot, foli për Anadolu rreth asaj se si e filloi fushatën, lidhur me qëllimet e saj dhe se me çfarë është përballur gjatë rrugës.
– “Ideja për marshimin më erdhi në mendje me qëllim për të mbledhur fonde”
Lidhur me marshimin e saj të gjatë që filloi nga Britania dhe përshkoi Evropën, Herbert tha: “Ajo që më motivoi ta bëja ishte të shihja vuajtjet e palestinezëve dhe dëshira për të bërë diçka. Pjesëmarrja në protesta ishte mjaft e zakonshme, por ndjeva se nuk ishte e mjaftueshme. Doja të mbështesja organizatën bamirëse ‘Ndihma Mjekësore për Palestinezët’ (Medical Aid for Palestinians). Ideja për marshimin më erdhi në mendje me qëllim për të mbledhur fonde”.
Herbert shprehu dëshirën e saj për të bërë më shumë për popullin palestinez gjatë kohës së vuajtjeve të tyre. Ajo dëshironte të takonte njerëz në Evropë dhe në mbarë botën që mbështesin luftën palestineze.
– “Ne kemi nevojë për paqe dhe drejtësi për Palestinën”
Herbert bëri thirrje për luftë afatgjate për Palestinën. “Kur të gjithë bëjmë diçka, krijojmë një valë së bashku. Teksa kjo valë rritet, më shumë njerëz bashkohen dhe ndiejmë se nuk jemi vetëm. Njerëzit kanë ndjenja vërtet të forta për atë që po ndodh në Palestinë”, tha ajo duke shtuar:
“Ndonjëherë njerëzit nuk dinë çfarë të bëjnë, por mendoj se çdo hap që hedhim ndërton një komunitet të fortë duke bashkuar njerëz nga e gjithë bota që ndajnë të njëjtat ndjenja. Ne duhet ta ruajmë shpresën tonë dhe ta vazhdojmë luftën. Sepse çdo rezistencë, çdo luftë kërkon kohë. Duhet të jetë afatgjate, ne duhet të përpiqemi”.
Sipas saj, këto gjëra nuk do të ndodhin brenda natës, por duhet të vazhdojnë me vendosmëri. “Njerëzimi ynë po vihet në provë me Palestinën. Mënyra se si e trajtojmë Palestinën tregon se si do të ndikojmë në të gjithë planetin. Nuk mund të rrimë duarkryq dhe të shohim se si njerëzit shkatërrohen dhe zhvendosen nga shtëpitë e tyre. Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë për drejtësi”, tha Herbert.
“Kemi nevojë si për paqe ashtu edhe për drejtësi për Palestinën. Unë them paqe dhe drejtësi. Ne me të vërtetë kemi nevojë për këtë”, u shpreh ajo.
Aktivistja britanike thotë se udhëtimi ka qenë sfidues në aspektin fizik, por burim i madh krenarie për të. Pasi tha se ka kaluar nëpër 12 vende, Herbert theksoi se ka takuar shumë njerëz të ndryshëm dhe ka dëshmuar akte të shumta bujarie, përfshirë vakte dhe akomodim falas gjatë rrugës.
Herbert shtoi se ajo ka arritur objektivin e saj prej 50 mijë paund për ndihmë mjekësore për palestinezët. “Kthimi në shtëpi do të jetë një ndryshim i madh. Po përpiqem ta përgatis veten për këtë. E kam bërë këtë për gjashtë muaj dhe kthimi në shtëpi ndoshta do të jetë paksa traumatik. Por, plani im është të kthehem në shtëpi me tren. Në këtë mënyrë, mund të shoh se sa larg kam arritur. Pastaj do të takohem me familjen time në Londër”, tha ajo.
Ruth Herbert përfundoi fjalimin e saj duke thënë: “Vazhdoni të flisni për Palestinën”.













